Presidenti sirian intervistohet nga ish-shefi i CIA-s që e arrestoi në Irak

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 12:27 | Bota

Presidenti sirian intervistohet nga ish-shefi i CIA-s që e arrestoi në

Duke u ngjitur në skenën e një forumi politik në Nju Jork për një intervistë, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa dhe ish-kreu i CIA-s David Petraeus, janë përballur me njëri-tjetrin, tashmë në role të ndryshme, pasi më parë gjenerali në pension e kishte arrestuar në Irak.

Al-Sharaa, i cili rrëzoi nga pushteti ish-presidentin Bashar al-Assad dhe i dha fund sundimit 50-vjeçar të familjes së tij në Siri në një ofensivë ushtarake në fund të vitit të kaluar, ka qenë president i vendit që nga janari.

Sakaq, Petraeus komandoi forcat amerikane gjatë pushtimit të Irakut, kohë kur e kapën dhe burgosën al-Sharaa. Lideri i ri i Sirisë qëndroi nga viti 2006 deri në vitin 2011 në burgjet e Irakut. Petraeus  më vonë shërbeu si drejtor i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës.

Pas lirimit të tij, al-Sharaa krijoi Frontin al-Nusra në Siri në vitin 2012 për të luftuar Assad-in. Katër vjet më vonë, ai i ndërpreu lidhjet me al-Kaedën. Një vit më vonë, al-Nusra u bashkua me grupe të tjera për të formuar Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të udhëhequr nga al-Sharaa.

HTS u cilësua si “organizatë terroriste” nga SHBA-të në vitin 2018, duke përmendur lidhjet e kaluara me al-Kaedën, një përcaktim që SHBA-të e revokuan në korrik ndërsa Uashingtoni zbuti qasjen e tij ndaj Sirisë pas Asadit.

SHBA-të kishin vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e al-Sharaa-s, të cilin e rrëzuan vetëm në fund të dhjetorit.

Presidenti sirian intervistohet nga ish-shefi i CIA-s që e arrestoi në

Al-Sharaa mbërriti në Nju Jork të dielën për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe u bë kreu i parë i shtetit sirian që e bën këtë në pothuajse gjashtë dekada. Presidenti dhe delegacioni i tij i madh zhvilluan takime, përfshirë edhe me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe udhëheqësi mbajti një fjalim në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të hënën.

Me Petraeusin, ai mori pjesë më pas në Samitin Vjetor të Concordia-s 2025, një forum për çështjet globale i mbajtur së bashku me Asamblenë e Përgjithshme që bashkon liderë botërorë, drejtues biznesi dhe figura të OJQ-ve për të nxitur partneritetet dhe dialogun publik-privat.

Ish-gjenerali amerikan jo vetëm që e pranoi rastësinë e çuditshme, por e përdori atë për të lavdëruar al-Sharaa-n. “Trajektorja e tij nga udhëheqës kryengritës në kreun e shtetit ka qenë një nga transformimet më dramatike politike në historinë e kohëve të fundit të Lindjes së Mesme”, i tha Petraeus audiencës.

Më vonë gjatë intervistës, ai shfaqi shqetësim për mirëqenien personale të udhëheqësit sirian, duke e pyetur nëse ai po fle mjaftueshëm. Petraeus tha se al-Sharaa ka "shumë fansa" dhe se ai është një prej tyre.

Në një kohë, ne ishim në luftime dhe tani po kalojmë te diskutimi”, tha al-Sharaa me një buzëqeshje kur u pyet për historinë e tyre, duke shtuar se njerëzit që kanë kaluar nëpër luftë e dinë rëndësinë e paqes.

"Nuk mund ta gjykojmë të kaluarën bazuar në rregullat e sotme dhe nuk mund ta gjykojmë të sotmen bazuar në rregullat e së kaluarës", tha presidenti sirian.

Duke folur për kohën e tij si komandant i al-Kaedës, al-Sharaa tha se ndoshta ka pasur gabime më parë, por ajo që ka rëndësi tani është mbrojtja e popullit sirian dhe e rajonit nga paqëndrueshmëria.

“Angazhimi ynë ndaj asaj linje është ajo që na solli sot këtu në Nju Jork, të ulur këtu midis aleatëve dhe miqve”, deklaroi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos