“Europa, në situatën më të vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore”

Nga A2 CNN
1 Tetor 2025, 14:38 | Bota

“Europa, në situatën më të vështirë që

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka dhënë një paralajmërim të fortë mbi gjendjen aktuale të sigurisë në kontinent, duke e cilësuar Europën “në situatën më të vështirë dhe të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”. Sipas saj, rreziku që po përballet sot kontinenti është më i madh se gjatë Luftës së Ftohtë, duke theksuar se lufta në Ukrainë mbetet një kërcënim serioz dhe i përshkallëzuar për stabilitetin e rajonit, shkruan A2 CNN.

E pyetur për shkeljet e hapësirës ajrore nga dronë të paidentifikuar, Frederiksen është shprehur se në parim është pro rrëzimit të tyre, por ka nënvizuar se kjo duhet të bëhet me kujdes dhe në mënyrën e duhur.

“Europa, në situatën më të vështirë që

Ndërkohë, kryeministri suedez Ulf Kristersson ka shprehur mbështetje të plotë për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. “Nuk është e pranueshme që këto pasuri të konsiderohen ende si kapital rus pa asnjë mundësi përdorimi në favor të Ukrainës”, deklaroi ai përpara takimit të liderëve të BE-së në Danimarkë.

Në të njëjtën linjë, kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas ka bërë të ditur se BE po punon intensivisht për një marrëveshje mbi përdorimin e këtyre fondeve për të financuar një hua riparimi për Ukrainën. Megjithatë, vende si Franca, Belgjika dhe Luksemburgu kanë shfaqur rezerva ndaj këtij plani.

Në Gjermani, ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt ka ngritur shqetësimin për një “kërcënim në rritje” nga dronët, pas raportimeve se javën e kaluar është regjistruar një inkursion mbi rajonin verior të Schleswig-Holstein. Sipas revistës Der Spiegel, dronët kanë survejuar zona të ndjeshme të lidhura me ushtrinë, çka ka ngritur dyshime se pas tyre mund të qëndrojë Rusia, akuzë të cilën Moska e ka mohuar.

“Shumë nga ato që shohim sot mund të konsiderohen si provokime – dhe kështu e vlerësojmë edhe incidentin e javës së kaluar në Schleswig-Holstein”, u shpreh Dobrindt, duke shtuar se Gjermania duhet të zhvillojë kapacitete më të mëdha për të zbuluar, analizuar dhe, nëse është e nevojshme, për të rrëzuar dronët e tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos