Bashkimi Europian po përpiqet t’i japë Ukrainës dhjetëra miliarda dollarë hua, ndërsa mbështetja nga Uashingtoni po zbehet, Rusia po arrin fitime në fushëbetejë dhe Kievi po i afrohet një krize të thellë financiare në fillim të vitit të ardhshëm.
Blloku me 27 anëtarë po diskuton mundësinë e marrjes së një huaje duke përdorur si garanci asetet ruse të mbajtura në Europë, të cilat janë ngrirë nga sanksionet pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Megjithatë, plani për të përdorur rreth 210 miliardë euro asete ruse në Europë, pjesa më e madhe e të cilave janë para të gatshme, mbetet i kontestuar, shkruan A2.
Frika nga hakmarrja ruse në Belgjikë, ku ruhen shumica e fondeve, ka ngadalësuar diskutimet, duke i shtyrë zyrtarët e BE-së të gjejnë mënyra kreative për të zhbllokuar paratë pa i konfiskuar zyrtarisht. Liderët e BE-së pritet të mblidhen këtë muaj për të vendosur, por kundërshtimet e vazhdueshme të Belgjikës, e cila druhet se do të mbetet e vetme përballë padive të mundshme nga Rusia, po komplikojnë përpjekjet.
Nëse përpjekjet për të përdorur asetet ruse dështojnë, ka një alternativë: marrja e një huaje duke shfrytëzuar hapësirën e mbetur në buxhetin e përbashkët të BE-së. Por, kjo do ta shtynte Europën, tashmë të mbingarkuar me borxhe, edhe më thellë nw telashe. Nevojitet dakordësim unanim i BE-së dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán e ka kundërshtuar idenë, duke i bërë thirrje Brukselit të ndalojë financimin e një lufte “që nuk mund të fitohet”.
Çfarë janë asetet e ngrira të Rusisë?
Bashkimi Europian ngriu qindra miliarda euro asete ruse, para të gatshme, si dhe aksione e obligacione, pas pushtimit të Ukrainës. Ky hap, që përbën dënimin më të madh të vetëm ndaj Rusisë, është sot një nga pak mjetet e ndikimit që ka Europa teksa kërkon të përfshihet në bisedimet për paqe mes Uashingtonit, Moskës dhe Kievit.
Euroclear, një depozitë e letrave me vlerë që funksionon si një “thesar financiar”, mban pjesën dërrmuese të pasurisë ruse të sanksionuar në Europë, mbi 180 miliardë euro (210 miliardë dollarë).
Analisti Alexander Kolyandr shprehet: “Asetet e ngrira ruse janë kryesisht asete që i përkasin Bankës Qendrore Ruse. Ndërsa ka asete në pronësi të kompanive dhe individëve rusë, disa prej tyre janë të sanksionuara, disa prej tyre jo. Por, këtu po flasim për asete sovrane ruse. Kjo, në thelb, është rezerva valutore (FX – Foreign Exchange) e Bankës Qendrore të Rusisë, e cila përfshin edhe një fond kombëtar për ditë të vështira, ku Kremlini kishte vendosur të ardhurat shtesë nga nafta. Kështu që, për të ruajtur rezervat valutore, Rusia po blinte kryesisht obligacione qeveritare ose të kategorisë së investimeve nëpër botë, kryesisht në vendet perëndimore, sepse, duhet t’i mbrosh dollarët dhe eurot nga inflacioni dhe nuk mund t’i mbash rezervat valutore nën dyshek. Prandaj, ata po blinin këto obligacione dhe i mbanin në banka të ndryshme dhe gjithashtu në depozitues si Euroclear dhe Clearstream”.
A i ka prekur Europa deri tani paratë e Rusisë?
Perëndimi deri tani ka mundësuar kredi dhe pagesa ndaj Ukrainës duke përdorur interesin e gjeneruar nga paratë ruse të ngrira, një veprim që Presidenti rus Vladimir Putin e ka quajtur “vjedhje”. Por, tejkalimi i këtij hapi mbart rreziqe. Belgjika e ka forcuar kundërshtimin e saj ndaj planit, duke kërkuar që partnerët e BE-së të ndajnë përgjegjësinë nëse masa sfidohet ligjërisht.
Dmitry Medvedev, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ka paralajmëruar se marrja e aseteve të ngrira mund të konsiderohet nga Moska si një akt që justifikon luftën. Mund të ketë pasoja edhe për investitorët perëndimorë, të cilët ende zotërojnë dhjetëra miliarda asete të bllokuara në Rusi, nga fabrika deri te paratë e gatshme.
“Epo, problemi është se amerikanët ndaluan financimin e Ukrainës dhe tani e gjithë ideja është që Evropa duhet të mbajë barrën. Pa paratë evropiane, ose pa garancitë financiare evropiane, Ukraina nuk do të ishte në gjendje të mbijetonte financiarisht, sepse FMN nuk është e gatshme t’i japë hua Ukrainës pa garancitë evropiane. Buxheti ukrainas ka një deficit të madh, dhe ne as që po përmendim nevojat e ushtrisë. Pra, në fund të fundit, këto para janë jetike për Ukrainën, dhe evropianët duhet të gjejnë një mënyrë për t’i siguruar ato para Ukrainës”, thotë Kolyandr.
Cili është plani i Komisionit Europian?
Nevojat financiare të Ukrainës në vitet 2026 dhe 2027 janë rreth 135 miliardë euro, rreth 52 miliardë për funksionimin e shtetit dhe 83 miliardë për mbrojtjen. BE-ja synon t’i ketë këto fonde gati deri në tremujorin e dytë të 2026. Komisioni ka propozuar një hua “dëmshpërblimi”, e financuar nga paratë ruse të ngrira. Sipas skemës, Euroclear do të investonte paratë në një kontratë borxhi të emetuar nga BE-ja. Mekanizmi funksionon kështu: BE-ja merr hua nga Euroclear dhe ia jep Ukrainës. Ukraina do ta shlyejë këtë hua vetëm pasi të ketë marrë kompensim nga Rusia për dëmet e shkaktuara nga pushtimi. Edhe kompani të tjera financiare që mbajnë asete të ngrira ruse, përfshirë ato në Francë dhe Gjermani, do të përfshihen në skemë. Rreth 90 miliardë euro do të disbursohen përgjatë dy viteve.
“Përfundimisht, evropianët dolën me një plan mjaft dinak: të lëshojnë obligacione me interes zero, të ashtuquajturat ‘obligacione reparacionesh’, kundrejt aseteve të ngrira ruse. Pra, asetet ose përdoren si kolateral, ose thjesht përdoren për të blerë këto obligacione. Obligacionet marrin garanci nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare, kështu që ato janë në të njëjtin nivel me obligacionet sovrane të një vendi si Franca apo Gjermania. E di, një investim i shkëlqyer, një aset i mrekullueshëm. Dhe pastaj Ukraina i merr të ardhurat në disa këste”, shpjegon Kolyandr.
A do të funksionojë?
Ekzistojnë pengesa të shumta. Komisioni këmbëngul se mund të ecë përpara nëse 15 nga 27 vendet anëtare, që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së BE-së, votojnë pro.
“Megjithatë, ka pengesa dhe këto pengesa vijnë nga bota financiare. Para së gjithash, duhet të përmendim se Banka Qendrore Evropiane refuzoi t'u ofrojë mbështetje qeverive të Bashkimit Evropian, duke thënë se kjo do të shkonte kundër mandatit të Bankës Qendrore Evropiane, sepse kjo do të ishte një lloj financimi i buxheteve kombëtare, gjë që është kundër ligjit”, thekson Kolyandr.
BE-ja po kërkon gjithashtu të sigurojë që asetet e sanksionuara të Rusisë të mbeten të ngrira duke përdorur një ligj emergjence që anashkalon mundësinë e vendeve individuale për të bllokuar planin. Po ashtu, po i ofron garanci Europiane Belgjikës për ta mbrojtur nga paditë e mundshme. Por, Belgjika nuk ka hequr dorë nga kundërshtimet e saj, duke e bërë politikisht të vështirë arritjen e një marrëveshjeje finale: “Belgët po thonë se, në rregull, gjithçka duket mirë për momentin, por të mos harrojmë se Rusia mund të hakmerret, se Rusia mund t'i kundërshtojë dhe do t'i kundërshtojë vendimet në gjykata. Dhe më e rëndësishmja, çfarë ndodh nëse sanksionet kundër bankës qendrore nuk zgjaten, falë qëndrimit të Hungarisë ose Sllovakisë, ose nëse marrëveshja përfundimtare midis Rusisë dhe Ukrainës nuk i përmend dëmshpërblimet”.
Rreziqet për Belgjikën janë të mëdha. Gjermania ka sugjeruar se dronët e parë së fundmi mbi aeroporte dhe baza ushtarake në Belgjikë ishin një “mesazh” për të mos prekur asetet ruse.
Moska ka mohuar çdo lidhje, por ka premtuar një “përgjigje të dhimbshme” nëse asetet konfiskohen. (A2 Televizion)