Rregullisht ende gjenden bomba nga Lufta e Dytë Botërore në Gjermani. Po asnjëherë që nga viti 1945 nuk është dashur të evakuohen kaq shumë njerëz në Këln sa këtë të mërkurë (04.06.), sepse duhet të çaktivizohen tre bomba të Luftës së Dytë Botërore. Pjesë të mëdha të qendrës së qytetit dhe madje edhe hapësira ajrore janë mbyllur për këtë qëllim. Më shumë se 20,000 njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Tre bombat e hedhura nga avionët të tipit amerikan u gjetën të hënën (03.06.) Çaktivizimi i bombave është planifikuar përgjatë ditës së mërkurë. Zëdhënësja e bashkisë tha se nuk mund të përcaktohet koha e saktë. Shërbimi i asgjësimit të municioneve shpërthyese i qeverisë së landit në Düsseldorf e ka marrë përsipër detyrën.
Së pari verifikimi nëse banorët janë larguar
Autoritetet së pari duhet të verifikojnë nëse të gjitha apartamentet janë bosh. Sa kohë do të zgjasë kjo është e pamundur të parashikohet, tha Kai Kulschewski, kreu i departamentit të asgjësimit të municioneve shpërthyese në qeverinë e landit për radion WDR. "E gjitha varet nga sa i suksesshëm do të jetë evakuimi, nëse popullsia i përmbahet rregullave dhe nëse të gjithë largohen nga rrezja e evakuimit", tha kreu i departamentit. Vetëm kur të mos ketë mbetur askush brenda rrezes prej 1,000 metrash, punonjësit mund të fillojnë punën e tyre.
Qendra e qytetit të Këlnit është zona më me popullsi të dendur në të gjithë Evropën, tha Ralf Mayer, kreu i Zyrës së Rendit Publik të Këlnit në programin e mëngjesit në ARD. Tek zona e evakuimit përfshihet edhe një spital, dy qendra kujdesi për të moshuarit, muze të shumtë dhe stacionn televiziv RTL. Gjithashtu të prekura nga mbylljet janë tre ura të Rajnit dhe rrugë të rëndësishme trafiku, përfshirë shërbimin hekurudhor jugor që të çon në stacionin kryesor. (A2 Televizion)