Armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban ka sjellë frytet e para. Irani ka njoftuar hapjen totale të Ngushticës së Hormuzit. Ishte Ministri i Jashtëm i Iranit i cili e ka bërë me dije një gjë të tillë. Sipas diplomatit Iranian Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur deri në përfundimin e armëpushimit javën e ardhshme.
"Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata Portale dhe Detare e Republikës Islamike të Iranit", tha ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi.
Menjëherë ka ardhur reagimi i Presidentit Amerikan Donald Trump i cili me anë të një postimi në Truth Social falenderoi Iranin. “Irani sapo njoftoi se Ngushtica e Iranit është plotësisht e hapur dhe gati për tranzit. Faleminderit!”, shkroi Donald Trump në Truth, duke komentuar vendimin e Teheranit për të dhënë dritën jeshile për kohëzgjatjen e armëpushimit.
Hapja e Ngushticës së Hormuzit vjen pasi SHBA-të vendosën një bllokadë detare në portet iraniane në përgjigje të mbylljes efektive nga Irani të rrugës ujore kyçe. Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) tha të mërkurën se bllokada ishte "zbatuar plotësisht".
Të enjten, një tanker me flamur pakistanez doli nga Gjiri përmes ngushticës, sipas të dhënave të Trafikut Detar të shqyrtuara nga CNN, në një udhëtim të rrallë përmes rrugës ujore mes bllokadës.
Bëhet e ditur se raundi i ardhshëm i bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Islamabadit pritet, me shumë mundësi të dielën. Shtetet e Bashkuara dhe Irani po negociojnë një plan trefaqësh për t'i dhënë fund luftës, i cili përfshin, ndër të tjera, lirimin nga SHBA-të të 20 miliardë dollarëve nga fondet e ngrira iraniane në këmbim të heqjes dorë nga Teherani nga rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, raporton Axios, duke cituar burime.
Ndërkohë menjëherë pas njoftimit të hapjes së Ngushticës së Hormuzit çmimet e naftës ranë me më shumë se tetë përqind. (A2 Televizion)