"Papa Françesku nuk dështoi kurrë të ishte i pranishëm, të jepte mbështetjen e tij, të thoshte mendimin e tij. Ai na telefononte gjithmonë, ishte një takim i rregullt". Kështu u shpreh Atë Gabriel Romanelli, famullitar i Familjes së Shenjtë, e vetmja famulli katolike në Gaza, teksa flet për vdekjen e Papa Françeskut.
"Ne kemi humbur një baba, një anëtar të familjes sonë," tha ai në një intervistë për La Stampa.
Sipas tij Papa Françesku ishte një prani e vazhdueshme. Asnjëherë nuk ka munguar të sigurojë praninë, mbështetjen, fjalët e tij.
"Na telefononte gjithmonë, ishte takim i rregullt. Herën e fundit që folëm me të në telefon ishte të shtunën në mbrëmje, para Vigjiljes së Pashkëve. Unë isha në kishë duke falur Rruzaren dhe ai foli në celularin e famullitarit tim At Jusef. Ai foli me të, pastaj me motrën Maria. Ai pyeti për fëmijët dhe se si po përgatiteshim për Pashkë", vazhdoi ai.
"E falënderova, e ndjeva se ishte i lodhur dhe nuk doja ta mbaja në telefon. Më dukej veçanërisht i lodhur dhe i rraskapitur, pa frymë. Mendova se ishte dobësuar pasi kishte folur me famullitarin tim dhe murgeshën. Por shpirti i tij ishte gjithmonë i njëjtë, na inkurajonte shumë. Për mua ishte një shenjë e madhe shprese, por edhe mbështetjeje dhe afrimi".
Që nga 7 tetori kur filloi lufta, tregon ai, Papa ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për ta.
"Unë e njoh Papa prej vitesh dhe gjithmonë, sa herë që takoheshim, ai më pyeste për komunitetin tonë të vogël të famullisë. Ai gjithmonë më inkurajonte mua dhe vëllezërit e mi para meje, për të vazhduar këtë punë." “Kur shpërtheu lufta pas 7 tetorit, Papa vendosi të na bëjë të ndjejmë praninë e tij”.
"Ai ishte afruar aq shumë me komunitetin tonë sa i njihte zërat dhe dinte emrat e fëmijëve. E vinim në altoparlant kur thërriste dhe fliste me fëmijët, ata thërrisnin njëri-tjetrin në emër, i kërkonin këshilla, ndihmë dhe ai nuk përmbahej kurrë. Na bënte të ndiheshim të veçantë."
"Me vdekjen e tij - përfundon At Gabriel Romanelli - ne humbasim një mbështetje të madhe. Tani jemi të pikëlluar, por kemi fituar një ndërmjetës të madh në qiell". (A2 Televizion)