Çfarë është APEC? Forumi që bashkon Azinë dhe Paqësorin mes tensioneve të reja globale

Nga Erjon Dervishi
30 Tetor 2025, 22:21 | Bota

APEC u themelua në vitin 1989 si një forum joformal dialogu për të nxitur integrimin ekonomik rajonal. Fillimisht kishte 12 anëtarë, ndërsa sot përfshin 21 shtete anëtare dhe zhvillon mbi 100 takime në vit. Ai funksionon mbi bazën e angazhimeve jo detyruese, dialogut të hapur dhe respektit të barabartë për mendimet e të gjithë pjesëmarrësve. Vendimet merren me konsensus dhe angazhimet janë vullnetare.

Anëtarët e APEC janë: Australia, Brunei, Kanada, Kili, Kina, Hong Kong, Indonezi, Japoni, Koreja e Jugut, Malajzi, Meksikë, Zelandë e Re, Papua Guinea e Re, Peru, Filipine, Rusi, Singapor, Tajvan, Tajlandë, Shtetet e Bashkuara dhe Vietnam.

“APEC në thelb qëndron për Bashkësinë Ekonomike të Azisë dhe Paqësorit. U krijua në vitin 1989 me idenë se ky rajon do të bëhej pjesa më dinamike e ekonomisë botërore. Ishte ish-kryeministri australian Bob Hawke që propozoi krijimin e një organizate që do të ndihmonte vendeve të punonin bashkë për liberalizimin e tregjeve, harmonizimin e politikave dhe ndërtimin e një sinergjie më të madhe ekonomike”, tha Stephen Nagy, Profesor i Politikës dhe Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Krishterë Ndërkombëtar.

Si ka ndikuar APEC në ekonominë botërore?

APEC ka hedhur themelet për një ekonomi botërore më të lidhur dhe ka çuar në krijimin e marrëveshjeve të rëndësishme tregtare si Partneriteti Gjithëpërfshirës dhe Progresiv Trans-Paqësor (CPTPP) dhe Partneriteti Rajonal Gjithëpërfshirës Ekonomik (RCEP).

“APEC ka shërbyer si bazë për marrëveshje të tjera tregtare si CPTPP apo RCEP. Ai ka krijuar kuadrin për marrëveshje të reja, ka ndihmuar shumë vende të zhvillohen dhe të hapin tregjet e tyre. Ky ishte qëllimi kryesor i APEC – dhe mbetet ende i rëndësishëm sot”, shtoi Nagy.

Sfidat që përballet APEC sot

Sipas analistëve, tensionet gjeopolitike në rritje kërcënojnë bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik. Fragmentimi politik dhe prioritetet e brendshme shpesh ngadalësojnë veprimin e përbashkët, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e APEC për të përmbushur agjendën e tij afatgjatë.

“Sot askush nuk dëshiron më globalizimin. Po shohim atë që e quajmë ‘balkanizim’ të ekonomisë ndërkombëtare – me Kinën, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian që veprojnë si blloqe të ndara. APEC po përballet me pyetjen se cili është funksioni i saj në një botë ku konkurrenca gjeoekonomike dhe gjeopolitike mes fuqive të mëdha po thellohet gjithnjë e më shumë. Dinamika që dikur e shtynte APEC drejt standardeve të përbashkëta, rregullave të harmonizuara dhe liberalizimit po lëviz sot në drejtim të kundërt. Kjo krijon sfida të mëdha. Pyetja është: a duhet APEC të përditësojë ‘softuerin’ e saj apo të krijojë një ‘harduer’ të ri për t’u përballur me realitetin e ri të rivalitetit SHBA–Kinë dhe me lojtarët e rinj që po shfaqen në arenën globale?.”

Çfarë është Samiti i CEO-ve të APEC?

Krahas takimeve vjetore të liderëve, APEC zhvillon edhe Samitin e CEO-ve, ku mblidhen drejtues të mëdhenj biznesesh, politikëbërës dhe ekspertë nga rajoni për të diskutuar sfidat më të mëdha ekonomike globale.

“Takimi me drejtuesit e kompanive është i rëndësishëm sepse APEC synon të krijojë sinergji ekonomike, të hapë tregjet dhe të harmonizojë politikat. Bizneset janë përfituesit e parë të këtyre ndryshimeve. Në këto takime, ata diskutojnë si të rrisin tregtinë dhe fitimet e tyre – diçka që më pas reflektohet në përmirësimin e jetës së njerëzve në rajon. Samiti u jep CEO-ve akses të drejtpërdrejtë te liderët botërorë, dhe anasjelltas.”

Pse liderët e APEC veshin rroba tradicionale gjatë samiteve?

Tradita e APEC kërkon që liderët të veshin veshje tradicionale të vendit pritës në ditën e fundit të takimit, për fotografinë zyrtare – një moment që shpesh bëhet simbolik dhe i paharrueshëm.

“Në varësi të vendit pritës, liderët veshin rrobat tradicionale të atij vendi – në Singapor, Indonezi apo Vietnam, secili ndjek kostumin lokal. Kjo simbolizon unitetin, faktin që të gjithë janë pjesë e të njëjtës familje dhe të angazhuar për të respektuar kulturat e njëri-tjetrit, duke kërkuar mënyra për bashkëpunim në tregti, liberalizim dhe zhvillim të përbashkët ekonomik.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos