
Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e Walter White Jr., djalit të protagonistit në serialin e famshëm “Breaking Bad”, është ndarë nga jeta në moshën 34-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i tij për BBC-në, ndërsa rrethanat e vdekjes janë ende nën hetim.
“E ndajmë me trishtim të thellë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të aktorit të dashur, filantropit dhe mbrojtësit të pasionuar të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, RJ Mitte”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të tij.
Mitte u gjet i vdekur në Brownsville, Teksas. Sipas autoriteteve lokale, ai u shpall i vdekur më 12 tetor, në atë që besohet të ketë qenë banesa e tij, përcjell A2 CNN. Shkaku dhe mënyra e vdekjes nuk janë përcaktuar ende. Policia bëri të ditur se nuk dyshohet për ndërhyrje kriminale, ndërsa pritet të kryhet autopsia.
Aktori, i cili jetonte me paralizë cerebrale, u bë i njohur ndërkombëtarisht për interpretimin e Walter “Flynn” White Jr. në serialin “Breaking Bad”, ku luajti përkrah Bryan Cranston dhe Aaron Paul. Për performancën e tij në këtë produksion, ai fitoi një çmim të Screen Actors Guild në vitin 2014.

Përtej karrierës artistike, Mitte u angazhua për rritjen e ndërgjegjësimit mbi aftësinë e kufizuar dhe përfaqësimin e personave me aftësi të kufizuara në industrinë e kinematografisë. Ai shërbeu si ambasador i organizatave United Cerebral Palsy dhe Shriners Children's, si dhe krijoi fondacionin e tij për të mbështetur nisma filantropike dhe komunitare.
Bryan Cranston, i cili interpretoi babanë e tij në serial, shprehu dhimbjen për humbjen, duke kujtuar rritjen e Mitte nga një adoleshent në një aktor të talentuar. Aaron Paul dhe Dean Norris ndanë gjithashtu mesazhe ngushëllimi.
“Breaking Bad”, i transmetuar nga viti 2008 deri në vitin 2013, fitoi 16 çmime Emmy dhe mbetet një nga serialet më të vlerësuara të televizionit amerikan. (A2 Televizion)