
Ali Rida tregon se gjeti trupat e fëmijëve të pronarit të shtëpisë të flakur në rrugë pas një sulmi ajror izraelit në Sohmor, në luginën Bekaa të Libanit. Ata jetonin sipër punëtorisë së tij ku ai lyente makina.
“Sulmi izraelit ndodhi në orën 3:30 të mëngjesit. Nuk kishte absolutisht asnjë arsye, por Izraeli njihet për këtë. Ata shënjestrojnë civilët dhe, në disa vende, fëmijët. Këtu u vra një grua me vajzën dhe djalin e saj. Imagjinoni, ata ishin ulur në shtëpi duke menduar se ishin të sigurt,” tha Rida për Al Jazeera.
Babai i fëmijëve ndodhet në spital, i verbuar nga shpërthimi dhe me të dyja këmbët e thyera nga rrënojat. Është e pasigurt nëse ai do të mbijetojë. Kryetari i bashkisë së qytetit tha se mbi 140 shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar nga sulmet izraelite.
“Shumica e njerëzve janë kthyer, por ata janë të shqetësuar për situatën e përgjithshme dhe të gjithë po presin negociatat. Sa i përket situatës së brendshme në Liban, ne bëjmë thirrje se nevojitet unitet,” tha kryebashkiaku Iskandar Barake.
Më poshtë në rrugë, në qytetin Mashghara, u shënjestruan gjithashtu shtëpi banimi.
“E kisha parkuar kamionçinën këtu pranë shtëpisë sime dhe brenda pesë minutave, sapo hyra brenda ndjeva diçka në ajër dhe më pas pati një shpërthim shumë të fuqishëm. Gjithçka në shtëpinë time u bë copë-copë, xhamat, alumini, dritaret,” tha i mbijetuari Mahmoud Ibrahim për Al Jazeera. (A2 Televizion)