Fëmijët operohen pa anestezi, OKB: Izraeli të ndalë sulmet pa dallim kundër qytetarëve

Nga Rosalba Bejdo
10 Nëntor 2023, 12:00 | Bota

Të qara, ulërima dhe lutje….janë muzika e përhershme në spitalin më të madh të Gazës, Al Shifa, ku pacientët operohen pa anestezi. Kjo vajzë e vogël po qan mes dhimbjes e dëgjohet të thërrasë nënën e saj, teksa infermierja i bën një qepje të plagës në ballë, pa mpirje lokale, pasi anestetikët e qetësuesit mungojnë. Për stafin e spitalit, këto janë momentet më të vështira me të cilat përballen çdo ditë, mes fluksit të të plagosurve nga sulmet izraelite.

“Ndonjëherë u japim diçka për të kafshuar në mënyrë që t’i lehtësojmë dhimbje. E dimë se dhimbja që përjetojnë në ato momente është diçka përtej asaj që mund të të përballojnë në moshën e tyre”, thotë infermieri Abu Emad Hassane.

Drejtori i Spitalit, Mohammad Abu Selmeyah, tregon se kur një numër i madh të plagosurish mbërrijnë në të njëjtën kohë, nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse t’i trajtojnë në dysheme, pa qetësuesit e nevojshëm.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri të ditur se 18 nga 35 spitalet që gjenden atje, dhe 40 qendra të tjera shëndetësore janë jashtë shërbimit, për shkak të dëmeve nga bombardimet, ose mungesa e karburantit. Kamionë me ndihma po hyjnë në Gaza përmes pikëkalimit të Rafahut me Egjiptin, por ato nuk përfshijnë karburant, mes shqetësimeve se Hamasi do ta përdorë për të mbrojtur veten nga sulmet izraelite.

Por edhe ndihmat e tjera, që po mbërrijnë, sipas OKB-së, janë larg nevojës për t’iu përgjigjur katastrofës humanitare që po përjetojnë qytetarët atje. Komisioneri për të drejtat e njeriut paralajmëroi sërish kundër krimeve të luftës, që po kryhen nga të dyja palët në Gaza. Volker turk, i bëri thirrje Izraelit t’i japë fund bombardimeve pa dallim në zonën me popullsi të dendur dhe kërkoi hetimin e sulmeve të tilla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos