
Niveli i ujit në liqenin e Fierzës vijon të bjerë për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, duke sjellë ulje të ndjeshme të prurjeve nga lumenjtë që furnizojnë rezervuarin më të madh hidroenergjetik në vend.
Aktualisht, niveli i liqenit ka zbritur në kuotën 283.89 metra, ndërsa niveli maksimal i tij është 296 metra. Rënia e prurjeve ka ndikuar në rezervat ujore, ndërsa në HEC-in e Fierzës janë në punë tre nga katër agregatët, me një fuqi aktive prodhimi prej rreth 300 megavatësh.
Përballë situatës së thatësirës dhe rritjes së konsumit të energjisë gjatë muajve të verës, veçanërisht në periudhën korrik-shtator 2026, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka ndërmarrë masa për të siguruar furnizimin e pandërprerë me energji.
Sipas të dhënave, KESH ka blerë rreth 331 mijë megavat/orë energji elektrike, me një vlerë prej 41.5 milionë eurosh, për të përballuar nevojat e konsumit në kushtet e prodhimit të reduktuar vendas.
Institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përdorin energjinë elektrike me kursim dhe përgjegjësi, duke shmangur konsumin e panevojshëm, me qëllim garantimin e një furnizimi sa më të qëndrueshëm gjatë periudhës së thatë. (A2 Televizion)