
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për të vijuar diskutimet me partitë parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Deputetët e zgjedhur për legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës bënë betimin, duke shënuar hapin e parë të konstituimit të parlamentit, por procesi u pezullua për t’i dhënë më shumë kohë negociatave politike.
Në fjalën e tij në Kuvend, Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet e zhvilluara, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme për dialog edhe me partitë e tjera parlamentare, përfshirë PDK-në dhe Aleancën.
"Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues", tha Kurti.
Kryeministri në detyrë argumentoi se institucionet e reja nuk duhet të përfundojnë sërish në një situatë shpërndarjeje të Kuvendit dhe zgjedhjesh të parakohshme, duke e cilësuar këtë si të dëmshme për ekonominë e vendit.
"Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme", u shpreh Kurti, duke kërkuar më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së re. (A2 Televizion)