“Filia” Erdogan-Mitsotakis, firmosen 15 marrëveshje, vetëm Qiproja i ndan

Nga Xhevahir Qardaku
8 Dhjetor 2023, 10:23 | Bota

Greqia dhe Turqia kanë nisur një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre të trazuara. Ka qenë vizita zyrtare e presidentit Rexhep Tajip Erdoan në Athinë që ka vulosur rikthimin e qetësisë, përmes një deklarate të përbashkët me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Greqia dhe Turqia angazhohen, në kontekstin e kësaj deklarate, “të përmbahen nga çdo deklaratë, nismë apo veprim që mund të rrezikojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e tyre”.

Në të njëjtën kohë, ata nënvizojnë se “do të përpiqen të zgjidhin çdo mosmarrëveshje që lind mes tyre në mënyrë miqësore, nëpërmjet konsultimeve të drejtpërdrejta midis tyre ose me mjete të tjera të zgjedhjes së ndërsjellë, siç parashikohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara”. Në Athinë është zhvilluar edhe Këshilli i 5-të i Lartë i Bashkëpunimit Greqi-Turqi, në të cilin u nënshkruan 15 deklarata, marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi, në lidhje me një gamë të gjerë sektorësh, nga turizmi, energjia dhe tregtia deri te kërkimi, arsimi dhe transporti.

“Gjeografia dhe historia na kanë urdhëruar të jetojmë në të njëjtën zonë, rrethanat shpesh na vendosin përballë njëri-tjetrit. Dhe unë jam i vetëdijshëm se ka zëra si në Greqi ashtu edhe në Turqi që nuk janë dakord me këtë qasje, por ndjej një borxh historik ndaj përfitoj nga rasti për t'i sjellë dy vendet krah për krah, ashtu siç janë kufijtë tanë. Deri më tani, kemi arritur që marrëdhëniet tona t’i rikthejmë në ujëra të qeta. Sot në emër të brezit të ardhshëm po ndërtojmë një të nesërme ku në ato ujëra të qeta do të fryjë një erë e mirë, një e nesërme paqeje, përparimi dhe bashkëpunimi”, tha Mitsotakis në konferencë për mediat.

“Ne duam ta kthejmë Egjeun në një det paqeje dhe bashkëpunimi. Si Turqi-Greqi, duam të japim shembull për të gjithë botën me hapat e ndërsjellë që do të hedhim. Këtë e them hapur: nuk ka asnjë problem mes nesh që nuk mund të zgjidhet. Dëshirojmë të përmirësojmë marrëdhëniet tona qoftë në sektorin e turizmit apo në atë kulturor. Në bisedimet tona me të nderuarin Kryeministër, shkëmbyem mendime lidhur me qëndrimet tona në Egje dhe në Mesdheun Lindor dhe u kemi kërkuar ministrave tanë të Jashtëm që të punojnë me vendosmëri për këtë çështje. Ne duam të avancojmë më tej momentin aktual pozitiv në marrëdhëniet tona”, tha Erdogan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos