Frikë nga Rusia, Superfuqia e Europës plan miliarda eurosh për të rinovuar bunkerët

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 12:59 | Bota

Frikë nga Rusia, Superfuqia e Europës plan miliarda eurosh për

Gjermania po përballet me një krizë të thellë në infrastrukturën e saj të mbrojtjes civile, pasi rrjeti i strehimeve dhe bunkerëve është i vjetërsuar dhe në pjesën më të madhe jofunksional. Kryetari i Agjencisë Federale për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë në Fatkeqësi (BBK), Ralph Tiesler, paralajmëroi se vendi duhet të përgatitet për mundësinë e një lufte agresive në Europë në vitet e ardhshme.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane Süddeutsche Zeitung, Tiesler tha: “Për një kohë të gjatë, ekzistoi besimi se lufta nuk ishte një skenar për të cilin duhej të përgatiteshim. Kjo ka ndryshuar”. Ai theksoi se frika për një sulm të mundshëm nga Rusia po rritet, veçanërisht duke marrë parasysh që sipas vlerësimeve, Rusia mund të jetë gati për një sulm të ri brenda katër vitesh, pas luftës së gjatë dhe të përgjakshme në Ukrainë, shkruan A2 CNN.

Sipas raportit të gazetës, aktualisht në Gjermani ekzistojnë vetëm 580 bunkerë, shumë prej të cilëve janë jashtë përdorimit. Ky numër është shumë më i vogël krahasuar me afërsisht 2000 bunkerë që ekzistonin gjatë Luftës së Ftohtë. Vetëm 5% e popullsisë prej rreth 83 milionë banorësh mund të strehohet në rast të një sulmi ushtarak.

Frikë nga Rusia, Superfuqia e Europës plan miliarda eurosh për

Për të përmirësuar situatën, BBK ka planifikuar një rindërtim dhe zgjerim të madh të rrjetit të strehimit civil, përmes transformimit të tuneleve, stacioneve të metrosë, garazheve nëntokësore dhe bodrumeve të ndërtesave publike në vende strehimi të përkohshëm. Synimi fillestar është krijimi i një milion vendeve të reja strehimi. Po ashtu, do të zgjerohet sistemi i sirenave dhe njoftimeve emergjente në mbarë vendin.

Tiesler bëri të ditur se plani i plotë do të prezantohet gjatë verës, por paralajmëroi se fondet ende nuk janë siguruar. “Bunkerët e rinj me standarde të larta sigurie kushtojnë shumë kohë dhe para. Do të na duhen të paktën 10 miliardë euro në katër vitet e ardhshme dhe edhe 30 miliardë euro në dhjetë vitet pasuese”, tha ai.

Për fat të mirë, ka disa shenja shprese. Kancelari Friedrich Merz ka mundur të çlirojë një fond prej gjysmë trilioni eurosh për mbrojtjen kombëtare. Një pjesë e këtyre fondeve mund t’i ndahet edhe BBK-së, megjithëse një pjesë e madhe do të përdoret për modernizimin e ushtrisë gjermane, e cila është aktualisht në gjendje të dobët.

Një raport i Bundestagut e përshkruan ushtrinë si “me mangësi në gjithçka”, përfshirë pajisjet, trajnimet dhe infrastrukturën. Objektivat për shtimin e forcave të armatosura në 203 000 trupa deri në vitin 2025 janë shtyrë për në 2031, ndërkohë që sot numri është vetëm 181 000.

Përballë mungesës së fuqisë punëtore në raste emergjente, Tiesler sugjeroi rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ose një shërbim të detyrueshëm civil, duke i dhënë qytetarëve mundësinë të zgjedhin mes shërbimit ushtarak apo atij civil për vendin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos