“Kisha parandjenjë që do sulmonte i pari”, Trump tregon skenarin më të keq me Iranin: Shkatërrim i plotë

Nga Xhevahir Qardaku
3 Mars 2026, 23:28 | Bota

Ndërsa raketat dhe dronët fluturojnë nëpër Lindjen e Mesme, Presidenti amerikan, Donald Trump, tregon skenarin më të keq për Iranin. Ai priti në Shtëpinë e Bardhë kancelarin gjerman, Friedrich Merz, ku tha se shumica e bazave ushtarake të Iranit janë “shkatërruar” dhe se sulmet e fundit shënjestruan udhëheqjen e mbetur në Teheran.

“I kemi mposhtur shumë nga pikëpamja ushtarake. Ende po hedhin disa raketa. Në një moment ata nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë as këtë sepse po i godasim të gjitha transportueset e tyre. Po i godasim të gjitha stoqet e tyre të raketave. Skenari më i keq do të ishte që ta bëjmë këtë dhe pastaj dikush të marrë pushtetin, që është po aq i keq sa personi i mëparshëm, apo jo? Kjo mund të ndodhë. Ne nuk duam që kjo të ndodhë”, tha Trump, shkruan A2.

Trump e quajti Iranin “një farë të keqe” në Lindjen e Mesme, ndërsa listoi vendet që kanë sulmuar nisur nga Katari, Emiratet Arabe, Omanin dhe Arabinë Saudite. Pasi i mbylli derën për negociata duke konfirmuar se ishte tepër vonë, Presidenti amerikan tregoi dhe arsyen pse sulmoi i pari, ndërsa hodhi poshtë pretendimin se Izraeli e detyroi të niste luftën: “Ne po zhvillonim negociata me këta të çmendur dhe mendimi im ishte se ata do të sulmonin të parët. Ata do të sulmonin. Nëse nuk do ta bënim ne, ata do të sulmonin të parët. Unë kisha një parandjenjë të fortë për këtë”.

Izraeli konfirmoi se nisi sulme në Teheran dhe Bejrut, duke synuar bazat ushtarake iraniane dhe grupin e mbështetur nga Irani, Hezbollah, ndërsa ushtria intensifikon sulmet në Liban. Shteti hebre gjithashtu goditi një kompleks që i përkiste një grupi përgjegjës për zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm suprem të Iranit, tha një burim izraelit për CNN.

Aleatët dhe SHBA kanë mbyllur ambasadat në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Liban dhe i kanë paralajmëruar qytetarët e tyre të largohen nga më shumë se një duzinë vendesh në rajon. Të paktën 780 persona janë vrarë nga bombardimet amerikane dhe izraelite në të gjithë Iranin, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim, duke cituar Gjysmëhënën e Kuqe iraniane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos