Fotoja me kapelen naziste "pushton" rrjetin, kandidatja e Le Pen tërhiqet nga gara

Nga A2 CNN
2 Korrik 2024, 13:11 | Bota

Fotoja me kapelen naziste "pushton" rrjetin, kandidatja e Le Pen

Një kandidate e partisë Tubimi Kombëtar të Marine Le Pen është tërhequr nga gara edhe pse pati një rezultat pozitiv në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme legjislative, për zonën elektorale të Calvados.

Ludivine Daoudi iu desh të tërhiqte kandidaturën e saj për shkak se në rrjet është bërë virale një foto e saj, ku shfaqet e veshur me një kapele naziste.

Largimin e saj nga gara e njoftoi delegati i partisë Philippe Chapron mëngjesin e kësaj të marte. “Ajo nuk e mohon, ajo e bëri këtë foto disa vite më parë në Saint-Pierre-sur-Dives. Në të vërtetë fotografia ka lënë shije të hidhur. Nuk mund të pranojmë një gjë të tillë”, shpjegon Chapron.

Fotografia e Ludivine Daoudi është shpërndarë në rrjetet sociale orët e fundit, sidomos nga kandidatja e Frontit të Ri Popullor, Emma Fourreau.

Më 7 korrik, asnjë votë për këta fashistë të ndyrë”, shkruan ajo në platformën X.

Që nga fillimi i fushatës legjislative, disa kandidatë të Tubimit Kombëtar janë tërhequr nga gara për shkak të vërejtjeve raciste ose antisemitike. Kandidati për Morbihan, Joseph Martin u përjashtua para raundit të parë për shkak të një mesazhi antisemitik të publikuar në 2018 në rrjetet sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos