Një aeroplan i Air Europa, me 325 pasagjerë në bord, u godit nga turbulenca të cilat shkaktuan më shumë se 30 të plagosur. Sipas informacioneve, fluturimi, i cili ishte nisur nga Spanja për në Uruguai, bëri një ulje emergjente në aeroportin e Natalit në Brazil.
Në një deklaratë zyrtare, zyra e shtypit e Air Europa konfirmoi se nga 325 pasagjerët në bord, 7 u trajtuan për lëndime më të rënda në kokë, qafë dhe gjoks, ndërsa 30 të tjerë pësuan lëndime të lehta. Pasagjerët përshkruan skena të frikshme në avionin Boeing 787, ku sipas tyre, njerëzit "fluturonin" nëpër kabinë, duke u përplasur me tavanin e avionit.
Aeroporti i Brazilit tha për shtypin se avioni i Air Europa u ul në pistë, në orët e para të mëngjesit, pasi përjetoi turbulenca më shumë se katër orë pas fluturimit nga Madridi dhe se protokollet e shërbimit, për këtë lloj rasti, ishin aktivizuar menjëherë. (A2 Televizion)