Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar projektligjin historik që do t’u lejojë pacientëve në fazat e fundit të një sëmundjeje terminale të kërkojnë ndihmë për t’i dhënë fund jetës së tyre në mënyrë të kontrolluar, me asistencë mjekësore.
Projektligji, i cili ka mbështetjen e presidentit Emmanuel Macron, kaloi me 305 vota pro dhe 199 kundër. Tani ai do të shkojë në Senat për shqyrtim dhe më pas për një lexim të dytë në Asamblenë Kombëtare.
Qeveria franceze shpreson që ligji të hyjë në fuqi deri në vitin 2027, duke e bërë Francën vendin e tetë në Bashkimin Evropian që legalizon vdekjen e asistuar.
Sipas dispozitave, vetëm pacientët me një sëmundje të rëndë, të pashërueshme dhe në fazë të avancuar ose terminale, që përjetojnë vuajtje të mëdha fizike ose psikologjike, do të kenë të drejtë të aplikojnë për këtë procedurë. Ata duhet të jenë në gjendje të shprehin qartë dëshirën për të përfunduar jetën dhe do t’u kërkohet të konfirmojnë vendimin pas një pritjeje 48-orëshe.
Doza vdekjeprurëse do të administrohet nga vetë pacienti, ose nga personeli mjekësor nëse pacienti nuk është në gjendje. Vendimi përfundimtar do të merret nga një mjek, pas konsultimit me kolegë të tjerë.
Projektligji përfshin edhe mbrojtjen e të drejtave të stafit mjekësor për të refuzuar përfshirjen në procedurë, por ata nuk mund ta pengojnë atë, në të kundërt, rrezikojnë dënim me burg deri në dy vjet. (A2 Televizion)