Bashkimi Evropian thotë se Kina, përfshirë edhe Hong Kongun, është përgjegjëse për “afërsisht” 80 për qind të shmangieve të sanksioneve ndaj Rusisë, edhe pse Pekini vazhdon t’i mohojë këto akuza.
Sipas një raporti të klasifikuar të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, të cilin e kanë parë gazeta gjermane Sueddeutsche Zeitung dhe rrjetet shtetërore televizive NDR dhe WDR, komisionari i BE-së për sanksione, David O'Sullivan, ka deklaruar në një takim në Bruksel këtë muaj se ndonëse sanksionet kanë ndikim të rëndësishëm në ekonominë ruse, vazhdon të ketë vështirësi.
Mediat thanë më 27 maj se Ambasada kineze në Berlin nuk ka pranuar të komentojë këto akuza, përcjell A2.
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës më 26 maj e akuzoi Kinën se po vazhdon të furnizojë fabrikat ruse të mbrojtjes me mallra të shumta që përdoren për qëllime ushtarake, një pretendim që Pekini po ashtu e mohon.
“Kina nuk i ka dhënë kurrë armë vdekjeprurëse asnjërës palë në konflikt dhe kontrollon rreptësisht mallrat me përdorim të dyfishtë. Ukraina e kupton shumë mirë këtë. Kina kundërshton fuqishëm akuzat e pabaza dhe manipulimet politike”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, në një konferencë për media më 27 maj.
Raporti i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë ishte një përmbledhje e takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të mbajtur në Bruksel më 20 maj.
Përveç Kinës, raporti thotë se vështirësitë vazhdojnë edhe me Kazakistanin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë.
Teksa Emiratet e Bashkuara Arabe pretendojnë se eksportet janë ndalur, raporti thekson se nuk ofrohen statistika dhe se të dhënat e importit sugjerojnë të kundërtën.
Në raport shtohet gjithashtu se edhe kompani të BE-së janë të përfshira në shmangien e sanksioneve, gjë që e dobëson pozicionin e Komisionit Evropian në negociatat me vendet e treta për vendosjen e masave.
Raportimet për këtë çështje vijnë më pak se një javë pasi blloku ndërmori një hap të madh drejt ndërprerjes së importit të plehrave azotike nga Rusia dhe Bjellorusia, duke miratuar tarifa që synojnë ta bëjnë ekonomikisht të paqëndrueshme blerjen e tyre brenda tre vjetësh.
Udhëheqësit evropianë kanë kërcënuar gjithashtu Rusinë me një paketë “masive” sanksionesh nëse Moska nuk pranon një armëpushim 30-ditor të propozuar nga Uashingtoni.
Ata kanë sugjeruar se paketa e ardhshme e sanksioneve – që do të ishte e 18-ta nga BE-ja – mund të përfshijë sektorin e energjisë dhe masa financiare./ REL (A2 Televizion)