Frika nga hakmarrja pas referendumit, Islanda kërkon marrëveshje sigurie me BE

Nga Erjon Dervishi
1 Shtator 2026, 15:53 | Bota

Frika nga hakmarrja pas referendumit, Islanda kërkon marrëveshje

Islanda po përballet me pasojat e rezultatit të referendumit, i cili të shtunën hodhi poshtë rinisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Kjo ndodh pasi çështjet kryesore të diskutuara gjatë fushatës mbeten të pazgjidhura – duke filluar nga shqetësimet ekonomike, si inflacioni prej 5,6% dhe normat e interesit prej 8%, e deri te çështja e vendit të shtetit në një botë të paparashikueshme.

"Votimi nuk e ka zhdukur situatën tonë gjeopolitike; ajo mbetet dhe ne do të duhet të gjejmë mënyra të tjera për të forcuar sigurinë tonë," i tha dje agjencisë Reuters ministrja liberale e Punëve të Jashtme, Katrín Gunnarsdóttir. Qeveria e qendrës së majtë e kishte shpallur referendumin në një kohë të hershme, nën ndikimin e ambicieve ekspansioniste të Donald Trump-it lidhur me Grenlandën fqinje, duke argumentuar se BE-ja do ta mbronte Islandën jo vetëm nga ndërhyrjet e mundshme amerikane, por edhe nga sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride ruse.

"BE-ja mbetet një partner kyç për ne dhe ne duhet ta forcojmë më tej bashkëpunimin," tha Gunnarsdóttir, ndonëse shtoi se Reikjaviku do të "konsideronte marrëveshje dypalëshe" për sigurinë, duke përmendur marrëveshjet ekzistuese me Finlandën dhe Norvegjinë, si dhe duke identifikuar Japoninë dhe Kanadanë si partnerë të rëndësishëm.

Nga pikëpamja ekonomike, Islanda është tashmë pjesërisht e integruar në BE përmes Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE), e cila mundëson qasje në tregun e përbashkët pa qenë e nevojshme anëtarësimi i plotë në BE.

Megjithatë, në rrjetet sociale, pro-evropianët më të indinjuar – ata që kishin shpresuar për një votë "Po", e cila do ta afronte këtë ishull të pasur dhe të dashur për turistët me anëtarësimin – tani po bëjnë thirrje që Reikjaviku të lihet në fatin e tij. Ata po shtrojnë gjithashtu pyetjen nëse vetë EEA-ja (Zona Ekonomike Evropiane) është problemi: nëse Brukseli u garanton Islandës, Norvegjisë dhe Lihtenshtajnit lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit brenda Bashkimit, këto vende nuk kanë asnjë nxitje për t'u anëtarësuar realisht në BE. Gjatë një debati televiziv mes liderëve të partive të dielën, vetë Gunnarsdóttir pranoi se nuk e dinte nëse BE-ja do të ishte tani më pak e gatshme për të bashkëpunuar brenda kuadrit të EEA-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos