Vendimi i administratës Trump për ta rikthyer Rusinë në gjirin e diskutimeve mes zyrtarëve kryesorë ekonomikë të botës po nxit tensione të reja me aleatët evropianë, të cilët duan të vazhdojnë izolimin e Moskës për shkak të luftës së saj në Ukrainë.
Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, ishte i pranishëm të hënën në ditën e parë të bisedimeve të G20-ës, të organizuara nga Shtetet e Bashkuara. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, zhvilloi gjithashtu një takim kokë më kokë me Siluanovin në hapjen e samitit.
Megjithatë, prania e Siluanovit u kundërshtua nga zyrtarët evropianë në Asheville dhe vendimi për ta përfshirë zyrtarin rus në takim shkaktoi debate lidhur me planifikimin e fotos së përbashkët të pjesëmarrësve.
"Sekretari Bessent pati një takim produktiv me ministrin rus të financave," i tha POLITICO-s Erin Browne, nënsekretare e Departamentit të Thesarit për çështjet ndërkombëtare. Bessent "i përcolli atij mesazhin se lufta duhet të marrë fund dhe se ne duam të shohim një zgjidhje paqësore," tha ajo.
Një zëdhënës i Departamentit të Thesarit tha se të dy diskutuan mbi "planin e Trumpit për paqen dhe rritjen ekonomike".
Browne tha se përfshirja e Rusisë ishte një vendim i marrë nga Shtëpia e Bardhë. "Ne po ndjekim protokollin e Shtëpisë së Bardhë," tha ajo.
Kur u pyet nga gazetarët të hënën lidhur me përfshirjen e Rusisë në takim, Trumpi e mbrojti vendimin. "Neve na pëlqen të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë," u tha ai gazetarëve. "Një nga arsyet pse jam kaq i suksesshëm është se unë shkoj mirë me të gjithë."
Gjatë takimit me Siluanovin, Bessent e bëri të qartë se SHBA-ja nuk do të ofronte lehtësim ekonomik për Rusinë derisa të përfundonte lufta në Ukrainë, sipas një personi të njohur me detajet e takimit. Kur ministri rus i Financave "u përpoq të diskutonte fusha me interes për të ndërmarrë veprime, Sekretari Bessent e ndërpreu prerazi dhe tha se asgjë nuk është e mundur derisa të përfundojë lufta", tha personi, të cilit iu garantua anonimiteti për të folur rreth një takimi privat.
Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, u tha gazetarëve se e kishte bërë të qartë "se nuk do të pozonte për një foto në grup me ministrin rus të Financave", duke vënë në dukje se një foto e tillë nuk ishte realizuar vitet e fundit. (A2 Televizion)