Autoritetet gjermane kanë zbuluar pajisje shpërthyese dhe ndezëse në një nënstacion elektrik në Brandenburg, pranë termocentralit të madh me linjit Jänschwalde. Policia ka nisur hetimet, ndërsa në zonë janë angazhuar ekipet e specializuara për neutralizimin e pajisjeve.
Rasti është regjistruar në zonën Turnow-Preilack, ku policia konstatoi gjithashtu shenja të dëmtimit të mundshëm në një linjë të rrjetit elektrik.
Piroteknikët mbërritën në vendngjarje për të neutralizuar pajisjet e gjetura. Sipas autoriteteve, nuk kishte rrezik të drejtpërdrejtë për personat që ndodheshin në zonën përreth.
Policia bëri të ditur se bëhej fjalë për eksplozivë të improvizuar dhe pajisje ndezëse, por deri tani nuk janë dhënë detaje të tjera mbi llojin apo sasinë e tyre.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, një nga pistat që po shqyrtohet është se pajisjet mund të jenë vendosur me synimin për të shkaktuar dëme në infrastrukturën energjetike dhe, potencialisht, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Megjithatë, nuk është raportuar asnjë ndërprerje e energjisë si pasojë e incidentit.
Kompania LEAG, e cila menaxhon termocentralin, konfirmoi se nuk kishte persona të lënduar mes punonjësve.
Termocentrali Jänschwalde, pranë Cottbus, është një nga impiantet më të mëdha me linjit në Brandenburg.
Nga gjashtë njësitë që kanë qenë fillimisht në funksion, aktualisht operojnë vetëm dy ose tre, të cilat vazhdojnë të kontribuojnë në furnizimin me energji të rajonit.
Termocentrali është planifikuar të mbyllet përfundimisht në vitin 2028. (A2 Televizion)