“Fshesa” e Trump mbërrin tek ‘Hyundai’, bastisje e madhe në një fabrikë, 475 të arrestuar

Nga A2 CNN
5 Shtator 2025, 18:28 | Bota

“Fshesa” e Trump mbërrin tek ‘Hyundai’, bastisje e

Në një bastisje të madhe të policisë së imigracionit në një fabrikë të Hyundai në shtetin amerikan të Xhorxhias të enjten, u arrestuan 475 emigrantë të dyshuar se jetonin dhe punonin ilegalisht në SHBA.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha për CBS News se arrestimet vijnë në kuadër të goditjes së administratës Trump ndaj imigracionit të paligjshëm. Më parë, zyra e ATF-së në Atlanta tha në një postim në mediat sociale që përfshinte foto nga operacioni se 450 persona ishin arrestuar.

Bastisja kishte në shënjestër një nga fabrikat më të mëdha dhe më të shquara të prodhimit në Xhorxhia, të cilën guvernatori dhe zyrtarë të tjerë e kanë quajtur projekti më i madh i zhvillimit ekonomik në historinë e shtetit.

Hyundai Motor Group, një kompani jugkoreane, filloi prodhimin e automjeteve elektrike një vit më parë në një fabrikë me vlerë 7.6 miliardë dollarë që punëson rreth 1,200 persona.

Zëdhënësja e ICE-së, Lindsay Williams, konfirmoi se autoritetet federale kryen operacionin në perëndim të Savannah-s dhe se agjentët ishin të përqendruar në një sajt ndërtimi të një fabrikë baterish.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha në një deklaratë se agjentët ekzekutuan urdhrin e kërkimit "si pjesë e një hetimi penal në vazhdim mbi akuzat për praktika të paligjshme punësimi dhe shkelje të tjera të rënda federale".

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut tha në një deklaratë se po dërgonte zyrtarë në vendngjarje dhe i bëri thirrje ambasadës amerikane në Seul "të ushtrojë kujdes të jashtëzakonshëm për të siguruar që të mos shkelen të drejtat dhe interesat legjitime të qytetarëve koreanë".

Administrata Trump ka ndërmarrë operacione të gjera të ICE si pjesë e një programi masiv deportimi. Zyrtarët e imigracionit kanë bastisur gjatë kësaj kohe ferma, kantiere ndërtimi, restorante dhe dyqane riparimi makinash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos