
Një jaht luksoz rreth 30 metra i gjatë dhe me vlerë 8 milionë euro është fundosur mbrëmjen e së martës, 11 gusht, në ujërat mes ishullit të Kapuçinëve dhe Capo Ferro, në Costa Smeralda, pranë Porto Cervo në Sardenja të Italisë.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, jahti, i dorëzuar pronarit vetëm katër ditë më parë, pësoi një defekt në motor, i cili më pas shkaktoi edhe një zjarr në bord. Flakët u vunë shpejt nën kontroll, por uji hyri në trupin e mjetit lundrues, duke bërë që ai të fundosej në një thellësi prej rreth 7 metrash.
Në bord ndodheshin 14 persona, mes tyre pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit. Të gjithë u evakuuan dhe u morën në bord nga mjete të tjera që ndodheshin pranë. Ata u dërguan më pas në Poltu Quatu. Nuk raportohet për persona të rrezikuar për jetën.

Operacionet për nxjerrjen e jahtit janë koordinuar nga Kapitaneria e Portit të La Maddalena, ndërsa pritet mbërritja e një rimorkiatori të një kompanie të specializuar.
Autoritetet po monitorojnë gjithashtu situatën për të shmangur një dëm të mundshëm mjedisor. Deri tani nuk janë konstatuar rrjedhje karburanti, por zona përreth jahtit është izoluar me barriera mbrojtëse si masë paraprake. (A2 Televizion)