Presidenti amerikan Donald Trump humb një prej bashkëpunëtoreve më besnike të tij, zërin dhe fytyrën e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Levit. Ishte vetë Trump ai që përmes një mesazhi në rrjetet sociale se Karolina do të largohet nga detyra në fund të këtij muaji, për t’i kushtuar më shumë kohë familjes dhe dy fëmijëve të saj të vegjël. Duke e cilësuar Leavitt si një nga bashkëpunëtoret e tij më të besuara presidenti amerikan tha se e respekton plotësisht zgjedhjen e saj.
“Karoline ka qenë një prej zëdhënëseve më të mira që ka pasur Shtëpia e Bardhë dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme në mbrojtje të drejtësisë, lirisë dhe të drejtave të qytetarëve që prej vitit 2018”.
Ai shtoi se 28-vjeçarja do të mbetet një prej këshilltareve kryesore të jashtme dhe një zë me ndikim brenda partisë republikane. Levit është e fundit në radhën e zyrtarëve të lartë të administratës Trump që largohen nga detyra.
Që prej fillimit të vitit, figura të profilit të lartë si prokurorja e përgjithshme Pam Bondi dhe ish -sekretarja për sigurinë kombëtare, Kristi Noem janë shkarkuar nga detyra.
Megjithatë largimi i Leavitt vjen pak kohë pas lejes së lindjes, pasi ajo dhe bashkëshorti Nicholas Riccio, u bënë prindër për herë të dytë me një vajzë. 28-vjeçarja e cilësoi shërbimin si zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë si nderin dhe aventurën e jetës së saj. Ajo falënderoi Trump për besimin ndërsa sqaroi se përballja mes detyrës dhe mëmësisë ishte bërë gjithnjë e më e vështirë.
Leavitt u bë zëdhënësja më e re në historinë e Shtëpisë së Bardhë dhe u shqua për një stil të drejtpërdrejtë e shpesh përplasës me gazetarët. Gjatë mandatit të saj, administrata Trump ndryshoi rregullat e aksesit të medias, duke marrë më shumë kontroll mbi përzgjedhjen e gazetarëve që mund të ndiqnin presidentin. (A2 Televizion)