Gjermanët kërkojnë ekstradimin e ish-komandantit ukrainas Zaluzhny pas sabotimit të Nord Stream

Nga Erjon Dervishi
10 Nëntor 2025, 19:59 | Bota

Për tre vjet, një ekip detektivësh mblidhej çdo mëngjes rreth një tabele të bardhë në selinë e Policisë Federale Gjermane në Potsdam, pranë Berlinit. Tani, hetimi i tyre për atë se kush qëndronte pas aktit më të madh të sabotimit në historinë moderne, bombardimin e tubacioneve Nord Stream, po kërcënon të copëtojë mbështetjen për Ukrainën, vendin që ata e konsiderojnë përgjegjës.

Polonia tashmë ka refuzuar të ekstradojë një nga të dyshuarit për t'u gjykuar në Gjermani. Në vend të kësaj, ajo e sheh atë një hero për shkatërrimin e një burimi jetësor të të ardhurave për makinën e luftës së Presidentit rus, Vladimir Putin, shkruan A2.

Kryeministri polak Donald Tusk, i cili prej kohësh ka vënë në dyshim varësinë e Gjermanisë nga energjia ruse, e talli hetimin. Problemi nuk është se tubacioni u hodh në erë, tha ai: "Problemi është se ai u ndërtua".

Hetuesit gjermanë janë të bindur se grupi ukrainas që dyshohet se hodhi në erë tubacionet e gazit Nord Stream në Detin Baltik veproi nën drejtimin e Komandantit të atëhershëm të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhny. WSJ raporton se policia dhe prokurorët gjermanë kanë krijuar "një pamje tëqartë se si një njësi elitare ushtarake ukrainase kreu sulmet nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Gjeneral Valeriy Zaluzhny".

Qëllimi i sabotatorëve ishte të ulnin të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe lidhjet e saj ekonomike me Gjermaninë. Duke ndjekur kompanitë e qirasë së anijeve, telefonat dhe targat, ekipi hetimor gjerman hodhi themelet që autoritetet gjermane të lëshonin urdhër-arreste për tre ushtarë nga një njësi e forcave speciale ukrainase dhe katër zhytës veteranë, sipas njerëzve të njohur me rastin.

Komandanti i njësisë së sabotimit, Serhii Kuznietsov, u arrestua në Itali pas një kërkimi të gjerë dhe po mbahet në një burg të sigurisë maksimale në Emilia. Deri në dhjetor, gjyqtarët italianë pritet të vendosin nëse do ta ekstradojnë ukrainasin në Gjermani. Kuznietsov ka qenë në grevë urie për më shumë se një javë sepse pretendon se burgu nuk i plotëson kërkesat për dietën e tij vegane dhe pa gluten dhe ka vizita të kufizuara familjare, sipas avokatit të tij.

Nëse greva e urisë rezulton në shtrimin e tij në spital, ekstradimi i Kuznietsov mund të vonohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos