Gjermani: Nivel i lartë kërcënimi nga krimi i organizuar

Nga A2 CNN
29 Tetor 2025, 08:20 | Bota

Gjermani: Nivel i lartë kërcënimi nga krimi i organizuar

Kërcënimi nga kriminaliteti i organizuar në Gjermani është mjaft i lartë. Në këtë konkluzion arrihet në raportin mbi gjendjen gjatë vitit 2024, kur janë hetuar gjithsej 647 procese për shkak të kriminalitetit të organizuar. Shifra krahasuar me vitin 2023 mbetet pothuajse konstante. Megjithatë kjo është shifra e dytë më e lartë brenda dhjetë vjetësh. Më shpesh sipas BKA-së është identifikuar kriminaliteti me drogat – me rreth 260 procese ky është sektori me pjesën më të madhe të veprave penale në kuadrin e kriminalitetit të organizuar.

Pasojnë rastet e kriminalitetit ekonomik rreth 110 procese, krime fiskale dhe doganore me rreth 60 procese. Ngjashëm ka pasur shumë procese për kriminalitetin me kontrabandim njerëzish dhe çështje pronësie. Një kuotë dukshëm më të ulët me katër përqind të të gjithë proceseve ka pasur hetime kundër grupeve të kriminalitetit kibernetik.

Në këtë kategori dëmi i shkaktuar është masiv: Sipas raportit të BKA-së mbi situatën me kriminalitetin në Gjermani, në fushën e krimit kibernetik vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 1,7 miliard euro: Kjo shumë përbën gjysmën e dëmit financiar të shkaktuar nga kriminaliteti i organizuar në përgjithësi. Gjithsej BKA dëmin financiar në vitin 2024 e përllogarit me rreth 2,64 miliard euro.

Rekrutimi i minorenëve për vepra penale

BKA bën fjalë në raportin vjetor për një gjendje me "një potencial konstant të lartë kërcënimi" nga kriminaliteti i organizuar. Ajo që bie në sy është rritja e gatishmërisë për përdorim dhune në hapësirat publike. Në këtë kontekst më 2024 janë regjistruar rreth 280 vepra penale për përdorim dhune. Konstatohet gjithashtu një rritje e dukshme e posedimit të armëve. Rreth 420 armë janë sekuestruar vitin e kaluar në kuadër të hetimeve.

Policia federale shpreh shqetësim, që grupet kriminale gjithnjë e më shpesh ofrojnë veprime kriminale në formë shërbimi të ashtuquajtura "crime as a service", kjo p.sh. në sektorin e larjes së parave. Kriminelët gjithnjë e më shumë përpiqen të rekrutojnë minorenë për kryerjen e veprave penale. Për këtë ata shfrytëzojnë, sipas BKA-së, rrjetet sociale ose platformat Gaming në internet.

Ministri i Brendshëm federal, Alexander Dobrindt i CSU e cilësoi kriminalitetin e organizuar si një ndër kërcënimet më të mëdha të shtetit ligjor. "Ata veprojnë brutalisht dhe paskrupuj, në mbarë botën – që nga kontrabanda me drogë deri tek pastrimi i parasë e influencimi ndaj vendimmarrësve", tha politikani kristiansocial duke theksuar më tej, se: "Këtyre rrjeteve kriminale duhet t'u hiqet baza e ekzistencës, duke u ndërprerë atyre me konseguencë burimet e parave. Kushdo brenda këtyre strukturave që nuk mund të shpjegojë se nga vjen pasuria, duhet ta humbasë atë. Ky është ndryshimi i paradigmës." DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos