Downing Street ka lëshuar një deklaratë pasi Sir Keir Starmer dhe Emmanuel Macron kryesuan një takim virtual me më shumë se 30 udhëheqës nga ‘koalicioni i vullnetshëm’ këtë mëngjes për t'i informuar ata mbi bisedimet e mbrëmshme.
Një zëdhënës u shpreh se “kryeministri britanik filloi duke reflektuar mbi takimin konstruktiv, duke thënë se ishte e qartë se kishte një ndjenjë të vërtetë uniteti dhe një qëllim të përbashkët për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”.
Duke u kthyer te hapat e mëtejshëm, kryeministri tha se koalicioni do të takohet me homologët e tyre amerikanë në ditët në vijim për të forcuar më tej planet për të ofruar garanci të forta sigurie dhe për t'u përgatitur për vendosjen e një force sigurie në Ukrainë, nëse armiqësitë do të përfundonin.
Udhëheqësit diskutuan gjithashtu se si mund të ushtrohet presion i mëtejshëm - përfshirë sanksionet - mbi Putinin, derisa ai të tregojë se është gati të ndërmarrë veprime serioze për t'i dhënë fund pushtimit të tij të paligjshëm, përcjell A2 CNN.
"Kryeministri tha se mezi priste mbledhjen e ardhshme të grupit, ndërsa puna do të përparonte në ditët dhe javët në vijim", tha më tej zëdhënësi i tij. (A2 Televizion)