Rusia ka kryer një nga sulmet më të mëdha në Ukrainë gjatë gushtit, duke lëshuar 270 dronë dhe dhjetë raketa në orët e para të 19 gushtit, raportuan Forcat Ajrore të Ukrainës.
Sulmet u kryen disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkoi në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe aleatët kyç evropianë.
Zyrtarët rajonalë ukrainas thanë më 19 gusht se në 24 orët e fundit, granatimet ruse në mbarë rajonet e Harkivit, Donjeckut, Zaporizhjës dhe Hersonit kanë lënë të vrarë 15 persona dhe kanë plagosur të paktën 76 të tjerë.
Është raportuar se rajoni i Poltavës është goditur rëndë, duke lënë mbi 1.500 banorë pa energji elektrike. Në Çernihiv, dronët kanë dëmtuar infrastrukturë dhe kanë ndërprerë furnizimet me energji.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, dënoi sulmet e Rusisë dhe tha se ato janë “e kundërta e paqes”, teksa “puna e madhe për të avancimin e paqes po zhvillohet në Uashington”.
Bisedimet në Uashington përfunduan me zotimin e Trumpit se do të aranzhojë një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit Zelensky. Trump i ndërpreu bisedimet në Uashington për ta biseduar me Putinin për këtë ide.
Zelensky vazhdimisht ka thënë se është i hapur për bisedime me Putinin, por udhëheqësi rus ka refuzuar.
Pas bisedimeve në Uashington, nga Kremlini folën pak për kontaktet e nivelit të lartë mes Moskës dhe Kievit, por nuk përmendën dy udhëheqësit.
“Çdo kontakt që përfshin udhëheqësit më të lartë duhet të përgatitet me kujdes të shtuar”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov më 19 gusht.
Udhëheqësit evropianë janë shprehur skeptikë se Putini do të pranojë bisedimet pa presionin nga SHBA-ja.
Sulmet ruse vënë në pah çmimin gjithnjë e më të lartë për popullsinë civile dhe infrastrukturën ukrainase. Rusia mohon se qëllimshëm godet objektet joushtare, por sulme vazhdimisht shkatërrojnë shtëpi, spitale, shkolla dhe objekte energjetike.
Garancitë e sigurisë për Ukrainën ishin një element tjetër i bisedimeve në Uashington.
Në një intervistë për Fox News, Zelensky tha se udhëheqësit amerikanë dhe evropianë kanë diskutuar “për garanci të sigurisë për Ukrainën sikurse Neni 5”, duke shtuar se është e rëndësishme që garancitë të parandalojnë Putinin që të tentojë sërish të pushtojë pjesë të Ukrainës. Neni 5 i NATO-s është klauzola për mbrojtje të përbashkët të aleancës ushtarake.
Por, për këto garanci ende nuk janë dhënë detaje se si do të funksiononin në terren.
Ndërkaq, është raportuar për luftime të ashpra përgjatë vijës së frontit. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 19 gusht se në 24 orët e fundit janë regjistruar 186 përleshje luftarake, me Rusinë që ka kryer dy sulme me raketa, 78 sulme ajrore dhe ka hedhur 162 bomba.
Betejat më të ashpra janë përqendruar pranë qytetit Pokrovsk, në rajonin e Donjeckut.
Misioni i Kombeve të Bashkuara për monitorimin e të drejtave të njeriut në Ukrainë ka paralajmëruar se intensifikimi i sulmeve ruse po merr jetën e civilëve, veçmas në komunitetet përgjatë vijës së frontit.
“Sipas të dhënave, me 286 civilë të vrarë dhe 1.388 të plagosur, numri i viktimave në korrik ishte më i larti që nga maji i vitit 2022, duke e tejkaluar gjithashtu edhe atë të qershorit 2025”, raportoi ky mision javën e kaluar./REL (A2 Televizion)