SHBA: Raportuesit për motin në TV objektiv i urrejtjes online

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 12:37 | Bota

SHBA: Raportuesit për motin në TV objektiv i urrejtjes online

Një kërcënim me vdekje përmes e-mail-it shënoi fillimin e fundit të karrierës së një meteorologu. Ekspertët thonë se dezinformimi mbi klimën dhe teoritë konspirative po ushqejnë urrejtjen online.

Një mëngjes, Chris Gloninger hapi e-mail-in e tij dhe gjeti një mesazh nga një shikues që i kërkonte adresën e shtëpisë, duke i thënë se donte t'i bënte një "mirëseardhje” që ai do ta mbante mend.

"Zemra më rrahu fort dhe u ndjeva i paralizuar,” tha Gloninger, i cili në atë kohë prezantonte motin në një stacion televiziv në Des Moines, në shtetin amerikan të Iowa-s.

Email-i i referohej rastit të një burri që ishte arrestuar për tentativë vrasjeje ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh, pasi ishte shfaqur në shtëpinë e tij me një armë dhe lidhëse plastike.

Për Gloninger, kjo ishte pika e fundit pas një vargu ngacmimesh, që kishte përjetuar që prej marrjes së detyrës si kryemeteorolog. Ai njoftoi policinë dhe u largua me gruan drejt një hoteli.

Rritja e urrejtjes online ndaj parashikuesve të motit

Si disa nga fytyrat më të dukshme të komunikimit për ndryshimet e klimës, prezantuesit e motit në TV janë përballur me valën e dezinformimit dhe teorive konspirative që ushqejnë urrejtjen online.

Duke e parë ndryshimin e klimës si çështjen më të rëndësishme të kohës sonë, Gloninger kishte mbrojtur fuqishëm angazhimin e tij i fokusuar në punën e tij televizive.

Pas marrjes së detyrës në Des Moines, ai përshtati raportimin kundrejt prirjeve më skeptike ndaj klimës në Iowa, një shtet që ka qenë bastion konservator që nga zgjedhja e parë e presidentit Donald Trump në vitin 2016. Ai u përpoq ta lidhte çështjen me përvojat e përditshme, si p.sh. ndikimi i thatësirës te fermerët në zonën kryesisht bujqësore.

Ishte pikërisht atëherë kur e-mail-et nisën të mbërrinin në kutinë e tij online, fillimisht reagime të zakonshme kundërshtuese, por më pas gjithnjë e më kërcënuese. Ai vuri re se shikuesit po e politizonin shkencën. "Ata thonin se ishin lodhur nga kjo agjendë liberale,'” tha Gloninger. "Kjo nuk duhet të ketë kurrë të bëjë me politikën, sepse është një shkencë që mbështetet nga 99% e komunitetit akademik.”

Një histori e gjatë dezinformimi

Sot, dezinformimi dhe teoritë konspirative rreth klimës janë të përhapura gjerësisht online. Kjo ndodh pavarësisht konsensusit të gjerë shkencor, se ndryshimet klimatike po shkaktojnë mot gjithnjë e më ekstrem, i cili do të përshkallëzohet më tej teksa temperaturat globale vijojnë të rriten.

Rrënjët e kësaj dukurie mund të gjurmohen që në mesin e shekullit të kaluar. Edhe pse kompanitë e mëdha të karburanteve fosile kishin zbuluar lidhjen mes djegies së qymyrit, naftës dhe gazit me ngrohjen globale që në vitet 1960, shumë prej tyre ndoqën një strategji të qëllimshme mohimi dhe minimizimi të shkencës.

Por, ndërsa akullnajat janë shkrirë, niveli i detit është rritur dhe fenomenet e rrezikshme të motit janë intensifikuar, mohimi është bërë gjithnjë e më i vështirë për t'u shitur. Prandaj, ekspertët thonë se dezinformimi është shndërruar në një formë të re të quajtur "delayism” — qoftë duke hedhur dyshime mbi zgjidhjet ndaj klimës, qoftë përmes "greenwashing”, ku kompanitë përpiqen të krijojnë përshtypjen e rreme se janë miqësore me mjedisin.

Një studim i vitit 2024 tregoi, se kompanitë e karburanteve fosile dhe ato petrokimike shpenzuan miliona në reklama me pretendime të rreme mbi angazhimin e tyre për energjinë e rinovueshme. Në të vërtetë, sektori investon vetëm 1% të fondeve globale në energji të pastër, ndërkohë që vazhdon të eksplorojë fusha të reja të naftës dhe gazit.

Rrjet i ndërlikuar aktorësh të dezinformimit

Rrjetet që qëndrojnë pas dezinformimit për klimën janë bërë shumë të ndërlikuara, tha Ece Elbeyi, studiuese në Universitetin e Kopenhagës në Danimarkë.

Nuk përfshin vetëm ata që kanë interes të drejtpërdrejtë në ngadalësimin e veprimit për klimën dhe që bashkëpunojnë me lobiistë apo institute kërkimore, por gjithashtu media, "trolls” në internet, "bot-farms” ruse dhe influencues që përhapin dezinformim në rrjetet sociale, ku algoritmet favorizojnë mesazhet e ngarkuara emocionalisht.

Aktorët politikë, veçanërisht ata me platforma nacionaliste ose konservatore, kanë shfrytëzuar dezinformimin për të mobilizuar bazën e tyre, tha Elbeyi. "Ata mund të mos e mohojnë hapur ndryshimin e klimës, por i paraqesin zgjidhjet si p.sh. marrëveshjet ndërkombëtare ose rregulloret e emetimeve të dioksidit të karbonit si kërcënime për sovranitetin kombëtar ose pavarësinë ekonomike.”

Të bashkohesh kundër veprimeve për mbrojtjen e klimës është kthyer në një çështje identiteti dhe për këtë arsye është më e vështirë të sfidohet, shtoi Elbeyi. Identiteti politik, sipas saj, është një nga arsyet pse një person mund të ndajë dezinformim ose të dërgojë mesazhe plot zemërim ndaj dikujt si Gloninger. 

Terren pjellor për teoritë konspirative

Ndonjëherë dezinformimi mund të shkojë drejt teorive të shfrenuara konspirative, të cilat mund të jenë veçanërisht tërheqëse për njerëz me nivele të larta paranoje, pasigurie ose egocentrizmi, shpjegoi Daniel Jolley, profesor i asociuar i psikologjisë në Universitetin e Nottingham-it.

Sipas Jolley, teoritë konspirative shpesh i bëjnë njerëzit të ndihen më të rëndësishëm ose më të qetësuar duke paraqitur një grup tjetër të fuqishëm si "të ligjtë”, duke shtuar se ato shpesh marrin hov pas fatkeqësive.

Pas përmbytjeve vdekjeprurëse që goditën Teksasin këtë verë, konspiracionet u përhapën online, duke akuzuar shkencëtarët dhe agjencitë qeveritare, se kishin shkaktuar katastrofën duke manipuluar motin me anë të "cloud seeding”, një teknologji që sjell artificialisht reshje shiu. "Një pjesë e njerëzve përpiqen të shpjegojnë çështje që janë të mëdha, çështje që na bëjnë të ndihemi të pasigurt, të shqetësuar dhe të rrezikuar,” tha Jolley.

Ai parashikon se, meqë klima jonë po ndryshon, dezinformimi dhe konspiracionet për motin do të bëhen gjithnjë e më të dukshme. Meteorologët janë ndër komunikuesit më të ekspozuar të shkencës së klimës dhe për këtë arsye shpesh përballen me goditjen më të madhe të sulmeve, shtoi ai.

Çfarë mund të bëhet për të ndalur dezinformimin?

Si Jolley ashtu edhe Elbeyi e shohin edukimin si thelbësor për të identifikuar dezinformimin.

Elbeyi tha, se kjo duhet të përfshijë grupet vulnerabël në debat, pasi dezinformimi lulëzon kur grupet ndihen se vendimet merren pa to, apo madje kundër tyre. "Dhe ky përjashtim mund të gërryejë drejtpërdrejt besimin e publikut te shkencëtarët dhe te shkenca në përgjithësi.”

Një studim i vitit 2024 tregoi, se kompanitë e karburanteve fosile dhe ato petrokimike shpenzuan miliona në reklama me pretendime të rreme mbi angazhimin e tyre për energjinë e rinovueshme.

Sa i përket teorive të konspiracionit, ndërtimi i besimit dhe shprehja e empatisë për arsyet pse njerëzit mund t'i besojnë ato është një taktikë më me efekt sesa thjesht mohimi me fakte, tha Jolley. Ai shtoi se mbështetje u duhet gjithashtu edhe atyre, si Gloninger, që gjenden në shënjestër të abuzimeve.

Pas kërcënimit me vdekje, Gloninger kërkoi terapi dhe u diagnostikua me çrregullim post-traumatik të stresit (PTSD). Ai nuk mund të flinte dhe shëndeti iu përkeqësua, duke çuar edhe në një problem me lëkurën.

Policia kapi autorin dhe e gjobiti me 150 dollarë (129 euro). Ndërkohë, në stacionin televiziv ku punonte, Gloninger vazhdoi punën. Por pasi drejtuesit morën një lumë e-mail-esh nga ajo që ai e quan një "pakicë e zhurmshme”, atij iu kërkua të mos përmendte më ndryshimet e klimës kur prezantonte parashikimin e motit.

Gloninger vendosi të largohej nga puna në vend që të qëndronte dhe të injoronte çështjen e klimës. Ai thotë se ende e ka të vështirë të flasë për këtë vendim.

Megjithatë, ai ndjeu se kishte arritur një ndikim në rritjen e ndërgjegjësimit për klimën tek një audiencë e re konservatore. Ai ka ruajtur një dosje të madhe me mesazhe pozitive nga shikuesit.

Ai mendon, se do të ishte gabim që komunikuesit e klimës dhe prezantuesit e motit të tërhiqeshin tani për shkak të urrejtjes online.

"Mendoj se ka më pak mbulim me raportim mbi ndryshimet klimatike për shkak të frikës nga hakmarrja,” tha Gloninger. "Dhe unë i inkurajoj meteorologët të dyfishojnë përpjekjet.”/ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos