Gjyqi ndaj Trump drejt fundit! Prokurorët nuk kanë më prova kundër ish-Presidentit

Nga Erjon Dervishi
29 Maj 2024, 15:09 | Bota

Gjyqi ndaj Trump drejt fundit! Prokurorët nuk kanë më prova

Gjyqi historik kundër ish-Presidentit Amerikan, Donald Trump, po i vjen fundi. Avokati kryesor i Donald Trump sulmoi Michael Cohen, ish-avokatin e Trump, si dhe personin kyç i cili pretendon se ka marrë paratë e ish-Presidentit për t’ia dhënë ish-aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels. Për avokatin e Donald Trump, Cohen është gënjeshtari më i madh i të gjitha kohërave. 12 anëtarëve të jurisë së shpejti do t'u kërkohet të vendosin nëse ish-presidenti dhe kandidati republikan për zgjedhjet e nëntorit, është fajtor përtej dyshimit të arsyeshëm për falsifikimin e të dhënave të biznesit.

Prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Manhatanit pretendojnë se Trump falsifikoi të dhënat e biznesit kur i dha shumën e parave Cohen për pagesën prej 130 mijë dollarëve duke e regjistruar atë si tarifë ligjore. Një prokuror i Nju-Jorkut u tha juristëve se pagesa e parave ishte një përpjekje për të "mashtruar votuesin amerikan" gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

"Ne kurrë nuk do ta dimë nëse kjo përpjekje për të mashtruar votuesin amerikan ndikoi në zgjedhje, por kjo është diçka që nuk kemi nevojë ta vërtetojmë", tha Prokurori Steinglass.

Sakaq, "djali i fortë i Hollivudit", aktori i njohur, Robert De Niro e kritikoi Donald Trumpin si një klloun, i cili synon të shkatërrojë demokracinë amerikane. Komentet e tij, De Niro i dha jashtë sallës së gjyqit të qytetit të Nju-Jorkut. Nëse Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, tha ai, amerikanët mund të shohin se liritë civile që ata i marrin si të mirëqena do të zhduken, së bashku me zgjedhjet.

"Kjo është lagjja ime, në qendër të qytetit të Nju-Jorkut. Unë jam rritur këtu dhe ndihem si në shtëpinë time. Ndihem rehat. Kullat Binjake ranë pikërisht këtu. Pikërisht atje. Kjo pjesë e qytetit ishte si një qytet fantazmë. Por ne u zotuam se nuk do të lejonim që terroristët të ndryshojnë mënyrën tonë të jetesës jo vetëm qytetin, por edhe vendin dhe përfundimisht Trump mund të shkatërrojë botën", tha Robert De Niro, aktor/regjisor amerikan.

Kampi elektoral i Joe Biden ka filluar fushatën elektorale dhe rreth vetes ka mbledhur një sërë yjesh dhe artistësh të njohur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos