Goditet Odesa, dështojnë negociatat në Stamboll për armëpushimin

Nga Erjon Dervishi
24 Korrik 2025, 15:19 | Bota

Ukraina dhe Rusia nisën sulme ajrore përgjatë brigjeve të Detit të Zi, disa orë pasi bisedimet e shkurtra të drejtpërdrejta midis tyre nuk arritën të bënin ndonjë përparim në hapat për t'i dhënë fund luftës gati tre vjet e gjysmë, shkruan A2 CNN. Forcat ruse organizuan sulmin e fundit në një seri sulmesh masive me dronë në portin e Detit të Zi të Ukrainës, Odesa, duke plagosur të paktën katër persona dhe duke shkaktuar disa zjarre, si dhe dëme në qendrën historike, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Tregu i famshëm Pryvoz në Odesa ishte ndër vendet e goditura, tha Guvernatori Rajonal Oleh Kiper. “Nuk është vetëm një vend tregtie, është zemra e gjallë e Odesës”, shtoi ai. Të enjten në mëngjes, disa banorë po pastronin xhamat e thyer në rrugët aty pranë.

Zyrtarët e emergjencave në rajonin Krasnodar të Rusisë në Detin e Zi thanë se mbeturinat e një droni që binte goditën dhe vranë një grua në rrethin Adler pranë qytetit turistik të Soçit. Një grua e dytë po trajtohej në spital për lëndime të rënda, thanë ata në aplikacionin e mesazheve Telegram. Kreu administrativ i rrethit federal Sirius në jug të Soçit tha se një dron goditi një bazë nafte, duke mos dhënë detaje të mëtejshme. Autoriteti rus i aviacionit tha se operacionet u pezulluan në aeroportin e Soçit për rreth katër orë.

Rusia gjithashtu sulmoi rajonin qendror të Cherkasy gjatë natës, duke plagosur shtatë persona, përfshirë një nëntëvjeçar, dhe duke dëmtuar më shumë se një duzinë ndërtesash banimi.

Ndërkohë negociatorët e Rusisë dhe Ukrainë ranë dakord për të diskutuar shkëmbime të mëtejshme të të burgosurve në një seancë të shkurtër bisedimesh paqeje në qytetin turk të Stambollit, por ata mbetën larg njëri-tjetrit për sa i përket kushteve të armëpushimit dhe një takimi të mundshëm të udhëheqësve të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos