Një hetim i fshehtë pesëmujor nga BBC ka zbuluar një lidhje të rëndësishme të qytetit Essen në Gjermani me trafikimin e njerëzve që përpiqen të kalojnë Kanalin Anglez me mjete të rrezikshme. Gazetari i BBC-së, i cili pozonte si emigrant nga Lindja e Mesme, u takua me trafikantët e cilët ofruan një “paketë” prej 15 000 eurosh që përfshinte një gomone, motor dhe 60 jelekë shpëtimi.
Pajisjet ruhen në depo të fshehta në Essen, një qendër e preferuar për trafikantët për shkak të afërsisë me qytetin Kale (Calais) në Francë, dhe për faktin që veprimtaria e tyre ligjërisht nuk ndalohet nga autoritetet gjermane për kalime jashtë BE-së. Hetimi zbuloi se trafikantët përfitojnë nga ky boshllëk ligjor, duke lëvizur shpejt mjetet drejt brigjeve franceze. Dërgesat përfshijnë gomone të ndërtuara në Kinë dhe transportuar përmes Turqisë në Evropë.
Sipas trafikantëve, kërkesa e lartë nga emigrantët ka bërë që magazinat në Essen të jenë gjithnjë të mbushura dhe operacionet të përfshijnë rreth 10 depo. Nga hetimet e mëparshme është zbuluar se organizatorët shpesh paralajmërohen për kontrollet e policisë, duke u shpëtuar autoriteteve. Megjithëse janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar pajisje në bashkëpunim ndërkombëtar, trafikantët vazhdojnë aktivitetin e tyre, ndërsa Franca dhe Britania po kërkojnë bashkëpunim të zgjeruar me Gjermaninë për ndalimin e këtyre rrjeteve.
Kalimet në La Mansh janë bërë më vdekjeprurëse këtë vit dhe trafiku i gomoneve të mbushura tej kapacitetit është dënuar nga ekspertët, të cilët i quajnë ato “kurthe vdekjeje” për emigrantët. Ndërsa Britania po përpiqet të godasë këto rrjete, hetimet tregojnë se trafikantët po gjejnë metoda të reja dhe më të fshehta për të transportuar njerëz, duke shfrytëzuar përfitimet nga shpresat e emigrantëve për një jetë më të mirë. (A2 Televizion)