Grupimi fetar kërkoi largimin e grave, protesta e stafit mbyll Kullën Eiffel

Nga A2 CNN
8 Shtator 2026, 08:47 | Bota

Grupimi fetar kërkoi largimin e grave, protesta e stafit mbyll Kullën

Kulla Eiffel në Paris u mbyll të hënën pasi punonjësit hynë në grevë, në shenjë proteste ndaj një incidenti gjatë vizitës së një grupi fetar hindu, ku disa punonjëse gra u kërkua të largoheshin nga vendet e tyre të punës.

Një delegacion prej rreth 100 personash, i lidhur me organizatën hindu Bochasanwasi Akshar Purushottam Sëaminarayan Sanstha, vizitoi monumentin të shtunën. Përfaqësuesja e sindikatës së punonjësve, Diane Davoine, tha se gjatë mbërritjes së delegacionit, grave iu kërkua të largoheshin nga pozicionet e tyre dhe të zëvendësoheshin nga burra.

Sipas saj, drejtuesit e kompanisë që menaxhon Kullën Eiffel u kanë kërkuar më pas falje punonjësve për incidentin, shkruan A2.

Davoine tha se ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe ndjenjë poshtërimi te punonjësit, veçanërisht te gratë.

“Tensionet u rritën gjatë fundjavës dhe këtë mëngjes punonjësit vendosën të mblidheshin, fillimisht për të hapur një dialog me drejtuesit dhe, së dyti, për të siguruar që gratë të mos trajtohen më kurrë në këtë mënyrë në kompani”, tha ajo.

Kompania që administron Kullën Eiffel konfirmoi se delegacioni kishte kërkuar që vizita të organizohej në mënyrë që të kufizoheshin “ndërveprimet me gratë”. Kompania tha për agjencinë AFP se këto kushte “nuk duhej të ishin pranuar”, pasi nuk përputhen me vlerat e saj dhe me parimin e barazisë mes grave dhe burrave.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta politike në Francë. Kryebashkiaku i Parisit, Emmanuel Grégoire, tha se do të zhvillohet një hetim për rrethanat e vizitës.

“E konsideroj të ligjshëm zemërimin e shprehur nga punonjësit e Kullës Eiffel dhe dua t’u them se pakënaqësia e tyre është e justifikuar”, shkroi ai në rrjetin social X.

“Barazia mes grave dhe burrave duhet të zbatohet kudo dhe për të gjithë”, shtoi Grégoire.

Edhe liderja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, reagoi duke deklaruar: “Në Francë, nuk do të pranojmë kurrë që prania e grave të ‘kufizohet’.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos