
Rruga e parë që lidh Rusinë me Korenë e Veriut u hap të hënën, duke krijuar një lidhje të re për transportin e mallrave dhe pasagjerëve mes dy vendeve përmes lumit Tumen.
Mediat shtetërore të Phenianit thanë se ura rrugore do të përdoret për “shkëmbime personeli, turizëm dhe tregti”. Megjithatë, grupi ukrainas Truth Hounds argumenton se infrastruktura mund të shërbejë kryesisht si një korridor logjistik ushtarak i fshehtë, në mbështetje të Rusisë në luftën në Ukrainë.
Hapja e urës vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Phenianit janë forcuar ndjeshëm që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri koreano-verior Kim Jong Un kanë premtuar më herët se dy vendet do të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të “agresionit” ndaj secilit prej tyre, shkruan A2.
Kryeministri rus Mikhail Mishustin e cilësoi urën rrugore si një “simbol të ri të miqësisë”, ndërsa kryeministri i Koresë së Veriut, Pak Thae Song, e përshkroi hapjen si një “ngjarje historike”.
Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, ura mund të përballojë deri në 300 automjete dhe 2,323 persona në ditë.
Imazhet satelitore të publikuara nga BBC në maj treguan se ura, rreth një kilometër e gjatë, shoqërohet me rrugë të reja hyrëse, një pikë kontrolli kufitar, infrastrukturë mbështetëse dhe hapësira parkimi.
Rusia dhe Koreja e Veriut kishin lidhje ajrore dhe hekurudhore, por jo lidhje rrugore të përhershme. Sipas Reuters, me marrëveshje të posaçme vendoseshin dërrasa druri mbi urën hekurudhore për t'u mundësuar automjeteve kalimin.
Qeveria ruse ka deklaruar se ura do të përdoret fillimisht për transportin e mallrave, ndërsa transporti i pasagjerëve pritet të nisë më vonë gjatë këtij viti.
Shqetësimet për furnizimet ushtarake
Një nga ndikimet më të menjëhershme të urës mund të jetë rritja e eksporteve të armëve nga Koreja e Veriut drejt Rusisë.
Sipas vlerësimeve të agjencisë së inteligjencës së Koresë së Jugut, Pheniani i ka transferuar tashmë Rusisë armë, raketa dhe predha artilerie me vlerë të përllogaritur nga 7 deri në 14 miliardë dollarë, kryesisht përmes transportit detar.
Rreth 11,000 ushtarë koreano-veriorë besohet se janë përfshirë në luftimet në territorin rus në mbështetje të Moskës.
Truth Hounds ka paralajmëruar se, në kuadër të traktatit të partneritetit strategjik të nënshkruar nga dy vendet në vitin 2024, ura rrugore mund të përdoret për transportimin drejt Rusisë të personelit ushtarak koreano-verior, punëtorëve të ndërtimit dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë.
Një lidhje e re ekonomike dhe strategjike
Ndërtimi i urës nisi në vitin 2025, pas marrëveshjes së arritur gjatë vizitës së Vladimir Putinit në Korenë e Veriut në vitin 2024. Ishte vizita e parë e presidentit rus në këtë vend pas 24 vitesh dhe u pasua nga nënshkrimi i traktatit të partneritetit strategjik.
Ura u përfundua pas 495 ditësh pune, megjithëse ndërtimi u përball me disa vonesa.
Ndërkohë, numri i turistëve rusë që vizitojnë Korenë e Veriut është rritur gradualisht që prej vitit 2024. Ata janë akomoduar kryesisht në Phenian dhe në resortin bregdetar Wonsan-Kalma, ndërsa turistët nga shumë vende të tjera vazhdojnë të përballen me kufizime të forta për hyrjen në vend.
Ura pritet gjithashtu të lehtësojë transportin e punëtorëve koreano-veriorë drejt Rusisë. Sipas një vlerësimi të Koresë së Jugut, rreth 10,000 shtetas të Koresë së Veriut punojnë aktualisht në sektorët e ndërtimit dhe industrinë e prerjes së drurit në Rusi.
Kjo ndodh pavarësisht ndalimit të Kombeve të Bashkuara për punësimin e fuqisë punëtore nga Koreja e Veriut. Sipas raportimeve, disa prej tyre hyjnë në Rusi duke përdorur viza studentore.
Victor Cha, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), tha për BBC Verify se shpejtësia e ndërtimit të urës është tregues i rritjes së ndjeshme të aktivitetit tregtar mes dy vendeve.
Sipas tij, ky aktivitet është nxitur kryesisht nga furnizimi i Rusisë me trupa, armë, municione dhe punëtorë koreano-veriorë për luftën në Ukrainë.
Para luftës në Ukrainë, lidhja mes Rusisë dhe Koresë së Veriut konsiderohej një nga korridoret më pak aktive të transportit dhe tregtisë në rajon. Tashmë, ura e re mund ta kthejë atë në një nga lidhjet më të rëndësishme strategjike mes dy vendeve. (A2 Televizion)
