Krasniqi: Kemi kaluar në fazën ku një numër zyrtarësh janë gati të bëjnë burg, vetëm mos i prekësh pasurinë

Nga A2 CNN
8 Shtator 2026, 09:24 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi deklaroi se Shqipëria ka kaluar “në fazën ku një numër zyrtarësh janë gati të bëjnë burg, vetëm mos i prekësh pasurinë”.

“Nga monitorimi në Parlament më bëri përshtypje shumë një skenë ku një nga deputetët i kërkoi drejtuesit të SPAK-ut që të bëhen hetime për një dosje të caktuar, ku ai vetë është subjekt, duke thënë “unë jam subjekt, akuzohem dhe dua ta bëni sa më shpejt hetimin”. Në çdo Parlament të botës, kur bëhet një deklaratë e tillë, thuhet ky është konflikt interesi edhe nga drejtuesi i seancës, edhe nga prokurori, dhe situata zgjidhet siç e ka parashikuar ligji dhe rregullorja e Parlamentit. Aty s'ndodhi asgjë, iu kthye përgjigje kortezie dhe vazhdoi seanca. Skenat ku deputeti i akuzuar i kërkon llogari prokurorit që akuzon quhen normale. Por, nuk janë normale për një vend demokratik këto”, tha fillimisht Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Së dyti, ne kemi kaluar në një fazë krejt të re nëse shikoni raportimet e mediave dhe intervistat. Kemi kaluar në fazën ku një numër zyrtarësh janë gati të bëjnë burg, vetëm mos i prekësh pasurinë. Është bërë trend, janë gati edhe grupe po themi të njohura që të bashkëpunojnë dhe të bëjnë burg. Kemi nga ata që bëjnë burg dhe dalin krenarë nga burgu. Paraqiten si modele suksesi dhe na japin edhe leksione për demokracinë. Do duhet që të ndodhë ajo që ndodh në çdo vend demokratik të botës. Nëse individi i ka siguruar paratë me korrupsion, do duhet të ndiqet masa e parashikuar si në çdo shtet demokratik, si në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian, hetimi i burimeve të pasurisë dhe nëse ka shkelje ligji, sekuestro, siç i ndodh qytetarit të thjeshtë”, shtoi Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos