Grupi militant palestinez Hamasi dhe Izraeli fajësuan njëra-tjetrën për dështimin për arritjen e një marrëveshje armëpushimi pavarësisht progresit të raportuar nga të dyja palët në ditët e kaluara. Hamasi tha se Izraeli kishte vendosur kushte të mëtejshme, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu akuzoi grupin se po kthehej në mirëkuptimet e arritura tashmë.
"Forcat okupuese kanë vendosur kushte të reja në lidhje me tërheqjen, armëpushimin, të burgosurit dhe kthimin e të zhvendosurve, gjë që ka vonuar arritjen e marrëveshjes që ishte në dispozicion", tha Hamasi. Ai shtoi se po tregonte fleksibilitet dhe se bisedimet, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti, ishin serioze. Netanyahu u kundërpërgjigj në një deklaratë duke thënë se: "Organizata terroriste Hamas vazhdon të gënjejë, po refuzon mirëkuptimet që tashmë janë arritur dhe po vazhdon të krijojë vështirësi në negociata".
Megjithatë, Izraeli do të vazhdojë përpjekjet e pandërprera për të kthyer pengjet, shtoi ai.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke folur me komandantët në Gazën jugore, tha të hënën se Izraeli do të mbajë kontrollin e sigurisë së enklavës, duke përfshirë zonat mbrojtëse dhe postet kontrolluese.
"Siguria do të mbetet në duart e ushtrisë sonë. Ajo do të jetë në gjendje të veprojë në çfarëdo mënyre për të hequr kërcënimet, për të parandaluar ndërtimin e tuneleve, për të parandaluar infrastrukturën terroriste, për të parandaluar organizatat terroriste dhe përpjekjet për të dëmtuar shtetin e Izraelit ose ushtarët e saj", u shpreh Izrael Katz, Ministri i Mbrojtjes së Izraelit.
Sulmet izraelite vranë të paktën 24 civilë në të gjithë Gazën të mërkurën, thanë zyrtarët shëndetësorë. Një sulm goditi një ish-shkollë që strehonte familjet e zhvendosura në periferi të qytetit të Gazës. Ushtria izraelite tha se goditi një militant të Hamasit që vepronte në zonën e Al-Furqan në qytetin e Gazës. Disa palestinezë u vranë dhe u plagosën në zonën Al-Mawasi, një zonë humanitare e caktuar nga Izraeli në Gazën jugore, ku ushtria tha se kishte në shënjestër një tjetër operativ të Hamasit. (A2 Televizion)