Hetuesit inspektojnë anijen e dyshimtë, Letonia raporton dëmtim të kabullit në Detin Baltik

Nga Erjon Dervishi
5 Janar 2026, 12:22 | Bota

Një tjetër kabllo nëndetëse është dëmtuar në Detin Baltik – këtë herë pranë brigjeve të Letonisë. “Dëmtimi i një kablloje me fibra optike që i përkiste një kompanie private u zbulua në Detin Baltik pranë Liepajës”, njoftoi kryeministrja Evika Silina në platformën X, përcjell A2. Sipas policisë letoneze, shkaku i dyshuar i dëmtimit është një anije. Rrethanat e sakta të incidentit, i cili ndodhi më 2 janar në ujërat territoriale letoneze, janë ende të paqarta.

Sipas policisë, bazuar në informacionin nga Marina Letoneze, anija fillimisht lundroi mbi një kabllo joaktive dhe më pas ndryshoi kurs në atë që tani është e dëmtuar. Një hetim filloi pasi u identifikua anija e dyshuar dhe anëtarët e ekuipazhit u morën në pyetje. Hetuesit hipën në anije, e cila aktualisht është e ankoruar në portin e Liepajës. Anija dhe ekuipazhi i saj, të cilët po bashkëpunojnë me policinë, ende nuk janë ndaluar. Hetimi është duke vazhduar.

Liepaja është qyteti i tretë më i madh i Letonisë dhe shtrihet direkt në bregdetin Baltik, në veri të kufirit me Lituaninë. Sipas raportimeve, informacionet e para në lidhje me dëmtimin e mundshëm të kabllit kanë ardhur edhe nga vendi fqinj, por nuk pritet që kjo të ndikojë te konsumatorët letonezë.

Dëmtimi i kabullit nën det është incidenti i dytë në Detin Baltik brenda një jave. Në natën e Vitit të Ri, një kabllo të dhënash midis Estonisë dhe Finlandës u dëmtua. Dyshohet se autoritetet finlandeze e kanë gjetur një anije me zinxhirin e spirancës të lëshuar; ajo më pas u ndalua.

Rajoni i Detit Baltik ka qenë në gatishmëri të lartë që nga ofensiva e madhe e Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2022, pas një serie ndërprerjesh në kabllot e energjisë, lidhjet e telekomunikacionit dhe tubacionet e gazit. NATO ka përforcuar praninë e saj me anije, avionë dhe dronë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos