
Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 25-vjeçar, i cili dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një biznesmeni 54-vjeçar, pasi ishte prezantuar në platformat online si funksionar publik.
Sipas policisë, i riu, i identifikuar si Albi Muça, u arrestua në momentin kur po merrte paratë. Biznesmeni kishte dyshuar se bëhej fjalë për një mashtrim dhe kishte denoncuar rastin në polici. Pas denoncimit, u organizua një operacion për kapjen e tij në flagrancë.
Nga informacionet paraprake, 25-vjeçari dyshohet se gjatë komunikimit me biznesmenin ishte prezantuar si kryeministri Edi Rama, duke përdorur identitetin e tij për ta bindur të dorëzonte shumën e parave.
Sipas dyshimeve, pas saj mund të fshihet edhe Florian Gjergju, i cili vijon të jetë në kërkim prej kohësh.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni i koduar “Request”.
Do t’i merrte 1 milion euro, një 54-vjeçari, pasi i ishte prezantuar në platforma online, si funksionar publik, arrestohet duke marrë paratë, 25-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve hetimore me metoda speciale, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, menjëherë pas denoncimit të një 54-vjeçari, se dyshonte se e kishin mashtruar në platforma komunikimi online nëpërmjet përdorimit të identitetit të një funksionari publik, për të dhënë 1 milion euro, u finalizua operacioni i koduar “Request”.
Në kuadër të operacionit u ndërhy për arrestimin në flagrancë të autorit, shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, kur po merrte paratë.
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe në raste të tjera me të njëjtin mekanizëm kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)