Hungaria merr presidencën e BE, Orban me grup të ri në Parlamentin Europian. Çfarë pritet prej tij?

Nga A2 CNN
1 Korrik 2024, 14:39 | Bota

Hungaria merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian nga kjo e hënë, me premtimin për të qenë një negociatore e ndershme, pavarësisht shqetësimeve për atë që kritikët e shohin si qeveri autoritare, pro-ruse.

Kryeministri nacionalist Viktor Orbán, i cili ka drejtuar shtetin e Europës qendrore që prej vitit 2010, përplaset vazhdimisht me Brukselin lidhur me sundimin e ligjit dhe çështje të të drejtave të njeriut. Për më tepër, Hungaria e vetëquajtur “demokraci joliberale”, është penalizuar nga BE-ja, e cila ia ka ngrirë 6 miliardë euro fonde, të destinuara për të.

Gjashtë muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë për lidershipin e BE-së, marrë parasysh se Orban ka qëndrime kontradiktore: nuk është i kënaqur me sanksionet e saj kundër Rusisë, ka penguar ndihma ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe ka vënë në pikëpyetje aspiratat e Kievit për anëtarësim në BE.

Orban u shfaq luftarak gjatë fushatës për zgjedhjet europiane duke u zotuar të pushtojë Brukselin, pas rritjes së të djathtës ekstreme. Por, edhe pse partitë e djathta kanë shënuar fitore, Fidez e Orban mbetet e izoluar në pamundësi për të gjetur një grup që mund t’i përshtatet në Parlamentin Europian.

Të dielën, Orban njoftoi se do të krijonte grupin e tij, se bashku me partinë e ekstremit të djathtë në Austri, ajo e Lirisë, dhe partinë centriste të ish-kryeministrit çek, Andrej Babiš.

Mes 7 prioriteteve të Hungarisë për presidencën 6-mujore të BE, janë frenimi i emigracionit të paligjshëm dhe afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor një hap më pranë anëtarësimit, pa përmendur mes tyre Kosovën.

E megjithatë, zbehja e rolit të presidencave të këshillit, e po ashtu kalendari politik në një kohë kur Brukseli do të jetë i zënë me emërimin e një komisioni të ri europian, pritet të kufizojë ambiciet e Budapestit për të imponuar agjendën e vet.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos