“Sylvinho e kuptoi formulën e duhur”, Vata: Më kanë kontaktuar shumë skocezë pas triumfit të Shqipërisë në Serbi

Nga A2 CNN
19 Tetor 2025, 23:33 | Futboll

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ka komentuar në emisionin Mega Sport në A2 CNN fitoren historike të kuqezinjve 1-0 ndaj Serbisë në Leskovac, duke e cilësuar si një moment që ka bashkuar gjithë shqiptarët.

“Kërkesat janë në rritje, por kjo është pozitive. Ne duam që kombëtarja të rritet. Mentaliteti tashmë është për fitore dhe kjo ndeshje tregoi që skuadra jonë është gati të përballet me çdo kundërshtar. Djemtë bënë një punë të jashtëzakonshme në një ambient që kishte një vlerë mbarëkombëtare”, u shpreh Vata.

Sipas tij, triumfi në Serbi ka tejkaluar përmasat sportive. “Ka qenë një ndeshje që i ka dhënë një energji të madhe popullit shqiptar. Është një fitore shumëdimensionale, një sukses që të frymëzon dhe të bën të ndihesh krenar”, shtoi ai.

Vata tregoi se jehona e fitores ka shkuar përtej kufijve. “Më kanë kontaktuar shumë miq skocezë që janë impresionuar nga mënyra si festuan shqiptarët. Ata e panë se kjo nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli, por një ngjarje kombëtare.”

Duke analizuar aspektin teknik, ish-kapiteni theksoi se trajneri Sylvinho ka mësuar nga gabimet e mëparshme. “Mënyra sesi janë përgatitur dy ndeshjet e fundit ka qenë e duhura. Deri para tyre, Sylvinho kishte bërë disa gabime, por tani ka kuptuar pikat e dobëta dhe si t’i shfrytëzojë. Ai lexoi saktë dy mbrojtësit e rinj të Serbisë, dhe kjo i dha energji sulmuesve tanë, Manaj dhe Uzuni, të cilët krijuan shumë probleme. Goli erdhi pikërisht si rezultat i atij presioni”, tha Vata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos