Operatori shqiptar, i cili realizoi një foto me bluzën e Jasir Asanit pas përfundimit të takimit Serbi-Shqipëri dhe u ndalua nga policia serbe në Leskovac, ka folur ekskluzivisht në emisionin Mega Sport në A2 CNN për atë që ndodhi, por dhe emocionet e përjetuara.
Ai thotë se nuk e kishte menduar se një gjest i thjeshtë tifozërie do ta fuste në telashe. “Isha në zonën e gazetarëve, ndeshja mbaroi dhe atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Adrenalina ishte e papërshkrueshme. Poshtë xhaketës kisha veshur bluzën e Jasir Asanit, të cilën ma kishte dhuruar pas Europianit. Thashë: ‘po bëj një foto, se ky moment nuk përsëritet’. Dhe atë bëra,” rrëfen ai.
Por menjëherë pas fotos, situata ndryshoi. “Erdhi një person, mendova se ishte civil. Po më fliste serbisht dhe donte të më grishte bluzën. Pastaj më rrethoi policia. Më mbajtën rreth dy orë. Nuk e dija çfarë ndodhte, as serbisht nuk di. Në një moment mendova se gjërat do përkeqësoheshin.”
Për fat, ndërhyri ish-futbollisti Ardian Aliaj, pjesë e delegacionit shqiptar, i cili foli me policinë dhe sqaroi se bëhej fjalë për një foto dhe kaq. “Ai u mundua t’u shpjegonte se unë thjesht kisha bërë një foto, pa ndonjë provokim. Policët më akuzuan se kisha bërë gjeste me grushte, por unë nuk kisha bërë asgjë të tillë,” tregon ai.
Incidenti e penalizoi në punë, duke mos arritur të përmbushte detyrën siç duhet. “Më mërziti, por për fitoren ja vlejti,” tha ai. (A2 Televizion)