Analisti Ben Andoni, i ftuar në emisionin Terminal nga Aurora Sulçe në A2 CNN, komentoi zgjedhjet lokale të së dielës në Maqedoninë e Veriut dhe faktorin shqiptar, duke theksuar se rezultatet tregojnë një përçarje të thellë mes partive shqiptare dhe një dominim në rritje të forcave maqedonase.
Sipas Andonit, zgjedhjet lokale u zhvilluan më shumë me karakter të përgjithshëm politik sesa administrativ: “Këto zgjedhje ishin më afër zgjedhjeve të përgjithshme nga sloganet, nga premtimet dhe nga mënyra e qasjes. Kjo tregon se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.”
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, duke theksuar se “tre qendrat shqiptare, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, janë më të ndara se kurrë”.
Andoni e cilësoi BDI-në si simbol të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se “kjo parti identifikohet me bizneset e mëdha dhe me abuzimet ekonomike, ndërkohë që qytete si Tetova janë katandisur në qendra universitare pa zhvillim real”.
Ai theksoi se rivaliteti mes forcave shqiptare është bërë pengesë për ndryshimin politik: “Përçarja e shqiptarëve është arsyeja pse fuqia politike e tyre po zbehet.”
Andoni paralajmëroi një skenar të mundshëm të ri politik: “Mos u çudisni nëse në prill Ali Ahmeti futet në koalicion me VMRO-DPMNE-në.” (A2 Televizion)