I dërguari i Trump takohet me Netanyahun për ndihmat në Gaza

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 16:21 | Bota

I dërguari i Trump takohet me Netanyahun për ndihmat në Gaza

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, u takua të enjten me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në përpjekje për të shpëtuar bisedimet për armëpushim në Gazë dhe për krizën humanitare në enklavën palestineze, ku organizatat që monitorojnë urinë kanë thënë se atje po ndodh skenari më i keq i urisë.

Menjëherë pas mbërritjes së Witkoffit, presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Truth Social: “Mënyra më më e shpejtë për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gazë është që Hamasi të dorëzohet dhe t'i lirojë pengjet".

Ai iu referua grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i cili gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.

Bisedimet indirekte për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Doha përfunduan pa ndonjë rezultat javën e kaluar, me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për bllokim, ndërsa vazhdojnë të kenë mospajtime për çështje, sikurse deri në çfarë mase duhet të tërhiqet Izraeli në aspektin ushtarak.

Vizita e Witkoffit zhvillohet në kohën kur Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar lidhur me shkatërrimin në Gazë dhe kufizimet e vendosura për ndihmën në këtë territor. Kanadaja u bë fuqia e fundit perëndimore që paralajmëroi se do të njohë shtetin palestinez.

Një ditë më parë, Izraeli i dërgoi një përgjigje Hamasit lidhur me ndryshimet e fundit që ky grup i kishte bërë një propozimi amerikan, i cili parasheh një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e disa pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë, tha një burim për Reuters.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë ditët e fundit se Izraeli mund të aneksojë disa pjesëve të Gazës nëse vazhdon bllokada në bisedime.

Zyrtarët mjekësorë në Gazë thanë se të paktën 23 persona u raportuan të vrarë Izraeli në të gjithë enklavën palestineze, përfshirë 12 persona, teksa turmat ishin mbledhur për të marrë ndihma afër korridorit Netzarim, që kontrollohet nga Izraeli.

Që nga fillimi i luftës, Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se ka regjistruar 156 vdekje nga uria dhe kequshqyerja, shumica prej tyre gjatë javëve të fundit, përfshirë të paktën 90 fëmijë.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, që nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, në Gazë janë vrarë më shumë se 60.000 persona./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos