Ish-Koloneli Dritan Demiraj është shprehur se përgjigja e Moskës ndaj sulmeve të Ukrainës thellë brenda Rusisë do të jetë e ashpër.
Komentet Demiraj i bëri në një intervistë në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku u shpreh se goditja e avionëve rusë nga ana e Ukrainës ishte një zgjedhje e zgjuar, pavarësisht se sipas tij, nuk do të kalojë pa pasoja.
Ai shtoi se lufta e sotme në Ukrainë është një përballje proksi mes NATO-s dhe Federatës Ruse. Ai shtoi se të gjitha resurset dhe kapacitetet e NATO-s janë në shërbim të Ukrainës në këtë konflikt.
“Kjo është një luftë proksi mes NATO-s dhe Federatës Ruse. E gjithë inteligjenca dhe të gjitha kapacitetet janë me të drejtë në mbështetje të Ukrainës. Kjo pasi fuqia e Federatës Ruse është disa herë më e madhe sesa e Ukrainës.
Dhe në këtë këndvështrim, qasja e këtyre operacioneve që ju thatë, këto quhej operacione asimetrike, të cilat duke e pasur të pamundur për t’u përballur në një luftë konvencinale me të gjitha mjetet dhe fuqinë ushtarake ruse, përdorin forma konvencinale për ta goditur dhe gjakosur sa më shumë në vendet kryesore.
Dhe pikërisht këtu kemi të bëjmë me një goditje në triadën nukleare, që do të thotë goditjen e objekteve strategjike që janë të aftë gjatë një konflikti të mundshëm jo Ukrainën, por SHBA-të dhe NATO-n si bllok.
Goditja e këtyre avionëve është një goditje e fuqishme, e zgjuar, një investim shumë i zgjuar nga ana e Ukrainës. Por nëse e shikojmë nga ana strategjike, unë e shikoj se përgjigja e Federatës Ruse do të jetë shumë më e madhe”, është shprehur Demiraj, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)