I mbijetuari i tërmetit në Venezuelë nxirret i gjallë pas tetë ditësh

Nga A2 CNN
2 Korrik 2026, 16:35 | Bota

I mbijetuari i tërmetit në Venezuelë nxirret i gjallë pas

Një histori e jashtëzakonshme mbijetese ka ardhur nga Venezuela, ku një burrë u nxor i gjallë nga rrënojat tetë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën vendin më 24 qershor.

Hernán Gil u shpëtua pas një operacioni tepër të ndërlikuar, ndërsa kishte mbetur i bllokuar nën rreth 140 ton rrënoja në parkingun e një qendre tregtare në Catia La Mar. Ekipet e emergjencës arritën ta nxirrnin të gjallë më shumë se 100 orë pasi kishin vendosur kontaktin e parë me të.

Në operacion morën pjesë qindra punonjës të shpëtimit nga Venezuela, Kili, Kosta Rika, El Salvadori, Meksika, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara. Një zjarrfikës kilian e përshkroi misionin si "operacionin më kompleks dhe teknikisht më të vështirë" të karrierës së tij raporton BBC, shkruan A2CNN. 

Për shkak të rrezikut të shembjes së mëtejshme, ekipet u detyruan të rindërtonin disa herë kanalet e aksesit për të arritur te Gil. Gjatë kësaj kohe, ata i siguruan ujë, ndihmë mjekësore dhe një maskë për ta mbrojtur nga pluhuri.

Sipas ekipit të shpëtimit, Hernán Gil ishte në gjendje të qëndrueshme dhe nuk kishte pësuar dëmtime të rënda, pasi kabina prej betoni ku ndodhej në momentin e tërmetit krijoi një hapësirë mbrojtëse që i shpëtoi jetën.

Punonjësit e shpëtimit treguan se Gil ruajti moralin gjatë gjithë kohës, bisedonte me ta për familjen dhe madje kërkoi pijen e tij të preferuar hidratuese.

Tërmetet që goditën Venezuelën kanë shkaktuar një bilanc tragjik, me afro 2,300 viktima të konfirmuara dhe dhjetëra mijëra persona që rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa kërkimet për të mbijetuar vazhdojnë.


(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos