Atentati ndaj Trump, dorëhiqet drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA, Kimberly Cheatle

Nga A2 CNN
23 Korrik 2024, 16:59 | Bota

Atentati ndaj Trump, dorëhiqet drejtoresha e Shërbimit Sekret të

Drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan, Kimberly Cheatle, ka dhënë dorëheqjen vetëm 24 orë pasi ligjvënësit demokratë dhe republikanë u bënë bashkë dhe i kërkuan të largohej nga posti në një seancë të tensionuar të Komisionit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve.

Në seancën e së hënës që zgjati më shumë se 6 orë, Cheatle pranoi se agjencia që ajo drejton dështoi të garantonte sigurinë e Donald Trump, duke pranuar përgjegjësinë për atentatin ndaj ish-Presidentit në mitingun e 13 korrikut në Butler, Pensilvani.

Dorëheqja e Cheatle vjen në një kohë kur hetimi për dështimin me mbrojtjen e Donald Trump nga agjencia vijon dhe autoritetet po tentojnë të zbardhin sesi një person i armatosur iu afrua vrasjes së kandidatit republikan për president.

Ka pasur një shtytje nga ligjvënësit republikanë për ta fajësuar Cheatle. Ligjvënësit u zemëruan veçanërisht pas dëshmisë së saj publike, ku ajo nuk ishte e gatshme t'u përgjigjej shumë prej pyetjeve të Komisionit Mbikëqyrës.

"Unë mendoj se jam personi më i mirë për të udhëhequr Shërbimin Sekret në këtë kohë”, tha Cheatle ditën e djeshme.

Cheatle u emërua nga Presidenti Joe Biden për të udhëhequr Shërbimin Sekret në vitin 2022. Ajo kishte lënë punën si menaxhere e Global Security në PepsiCo për të marrë postin e drejtoreshës së USSS dhe para se të kalonte në sektorin privat, kishte shërbyer në Shërbimin Sekret për 27 vite.

Në një intervistë me CNN javën e kaluar, ajo  tha se agjencia ishte "vetëm përgjegjëse" për projektimin dhe zbatimin e sigurisë në vendin e mitingut në Pensilvani, ku atentatori qëlloi në drejtim të Trump nga një çati e pasigurt vetëm disa qindra metra larg nga skena e tubimit.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson u tha gazetarëve se dorëheqja e Cheatle është "e vonuar".

"Tani ne duhet të rindërtojmë besimin e popullit amerikan te Shërbimi Sekret si një agjenci. Ajo ka një përgjegjësi tepër të rëndësishme në mbrojtjen e presidentëve, ish-presidentëve dhe zyrtarëve të tjerë në degën ekzekutive, dhe ne kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos