Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gërmojnë në lindjen malore të Afganistanit për të gjetur të mbijetuar, të martën, teksa numri i të vdekurve nga një tërmet i fuqishëm ka kaluar 1.400, ka bërë të ditur qeveria e udhëhequr nga talibanët.
Edhe më shumë se 3.000 persona janë lënduar si pasojë e tërmetit, ka njoftuar më herët Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Katastrofave në Afganistan
“Të lënduarit po evakuohen, prandaj këto shifra mund të ndryshojnë dukshëm”, ka njoftuar zëdhënësi i institucionit, Yousaf Hammad.
“Tërmeti shkaktoi rrëshqitje dheu në disa zona, duke bllokuar rrugë, por ato janë rihapur, dhe rrugët e mbetura do të rihapen për të mundësuar qasjen në zonat që ishin vështirë të arritshme”, ka bërë të ditur ai.
Tërmeti prej 6.0 ballësh goditi në natën e së dielës në disa provinca, duke rrafshuar fshatra dhe duke i lënë njerëzit të ngujuar nën rrënojat e shtëpive të ndërtuara kryesisht me tulla prej balte dhe me drurë, dhe të tronditur nga fatkeqësia.
Shumica e viktimave janë regjistruar në provincën Kunar, ku shumë njerëz jetojnë në lugina të pjerrëta lumenjsh, të ndara nga male të larta. Helikopterët po përdoren për evakuimin e të lënduarve drejt spitaleve, dhe agjencitë e ndihmave kanë thënë se ekipet e tyre po rrugëtojnë këmbas për të arritur zonat më të izoluara, për shkak të terrenit të ashpër dhe rrugëve të dëmtuara.
Qeveria e udhëhequr nga talibanët ka bërë thirrje për ndihma ndërkombëtare.
Britania e Madhe është zotuar për ndihmë prej 1 milion funtesh, që do të ndahet mes agjencive humanitare dhe nuk do t’i jepet qeverisë talibane, të cilën Londra nuk e njeh.
Qeveri të tjera, përfshirë atë të Kinës, kanë ofruar ndihma për menaxhimin e fatkeqësisë.
Ky ishte tërmeti i tretë i madh që goditi Afganistanin që prej kthimit të talibanëve në pushtet më 2021, dhe kriza e fundit që prek vendin, i cili po përballet me ndihma të pakësuara, një ekonomi të dobët dhe miliona njerëz të kthyer me forcë nga Irani dhe Pakistani.
Si pasojë e tërmetit të fundit, më shumë se 250.000 njerëz pritet “t’i fryjnë radhët” e atyre që u duhet ndihmë për nevoja elementare, ka thënë Mark Calder nga agjencia e ndihmave World Vision Afghanistan.
“Kjo do të thotë më shumë njerëz që do të jetojnë pa strehim të mirëfilltë, pa qasje në ushqim për familjet e tyre dhe në ujë të pastër, dhe kequshyqerje dhe sëmundje në një situatë ku sistemi i përkujdesjes shëndetësore thjesht s’ka më shumë kapacitet”, është shprehur Calder. REL (A2 Televizion)