Misri u tha. Sezoni dështoi. Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën, ka detyruar një fermer gjerman të fillojë korrjet e tij më herët këtë sezon. Toka bujqësore në Bavari kanë dy muaj pa u lagur nga reshjet e shiut, duke lënë bimët e misrit pa kallinj.
“Këtu mund të shihni bimët e misrit që janë dëmtuar drejtpërdrejt nga thatësira dhe si duken ato këtë vit. Gjithashtu mund të shihni qartë se nuk ka fare kallinj. Bimët u përpoqën të formonin kallinj, por për shkak të mungesës së ujit ato nuk ishin në gjendje ta bënin këtë. Dhe nëse shikoni nëpër fushë, asnjë bimë e vetme nuk ka kalli. Ajo që po rritet atje nuk është kalli - është përpjekja për të formuar një. Dhe bima tashmë e ka braktisur atë përpjekje. Ne kemi shënuar rendimentet më të këqija të drithërave që nga fillimi i matjes së të dhënave. Për më tepër, për shkak të motit të ashpër, na është dashur të merremi edhe me dëmet rajonale nga breshëri”, tregon ai.
Kushtet e thata të motit nxitën shqetësimet e ekspertëve të bujqësisë në firmën e të dhënave të mallrave Expana, e cila uli ndjeshëm parashikimin e saj për korrjen e misrit në Bashkimin Evropian 13.9% më pak se sezoni i kaluar dhe 19% nën mesataren pesëvjeçare, shkruan A2 CNN.
Përkeqësimi i perspektivës së të korrave vjen ndërsa nivelet e ulëta të ujit në Rajn pengojnë transportin e brendshëm, duke rritur kostot e logjistikës për industrinë dhe tregtarët e mallrave. “Askush nuk e priste që niveli i ujit të binte kaq ndjeshëm. Ne kemi operuar në një nivel matës të Bonit deri në 80 centimetra më parë, por kurrë nën këtë nivel”.
Qeveria gjermane pritet të nxisë politika që synojnë zhvendosjen e mallrave nëpërmjet rrugës dhe hekurudhave nëse trafiku i Rajnit do të ndalet. (A2 Televizion)