“Vrau” 1,1 milionë amerikanë, Senati shpall Faucin fajtor për shpërfillje të Kongresit

Nga Erjon Dervishi
6 Gusht 2026, 22:11 | Bota

Një komitet i Senatit të SHBA-së votoi duke e shpallur fajtor Dr. Anthony Fauci-n pasi shpërfilli qëndrimet e Kongresit.

Komiteti për Sigurinë e Brendshme dhe Çështjet Qeveritare miratoi një propozim të iniciuar nga kryetari i tij republikan, Rand Paul nga Kentaki – një kundërshtar i hershëm i Fauci-t – me një votim ku anëtarët u ndanë sipas përkatësisë partiake (rezultati 8-7). Votimi pasoi një seancë dëgjimore të javës së kaluar, gjatë së cilës Fauci – i cili është 85 vjeç dhe doli në pension në vitin 2022 – u mbështet te Amendamenti i Pestë (e drejta për të heshtur) më shumë se 100 herë.

Ky votim shënon përshkallëzimin më të ashpër deri më tani në një fushatë të gjerë të republikanëve dhe administratës Trump për të rishqyrtuar çështjet e pandemisë dhe për të kërkuar llogari nga zyrtarët që drejtuan reagimin e SHBA-së ndaj saj, përcjell A2 CNN. Paul ka ndjekur një hetim disavjeçar për të provuar bindjen e tij dhe të republikanëve të tjerë se Fauci orkestroi një përpjekje për të fshehur origjinën e koronavirusit.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka përmbysur politikën federale shëndetësore për shkak të mosbesimit ndaj shkencës së periudhës së pandemisë, duke e paraqitur ristrukturimin e agjencive shëndetësore si një përballje me atë që administrata e quan "urdhra detyrues" të reagimit ndaj COVID-19. Që të dy e fajësojnë Fauci-n dhe kanë shkruar libra ku e kritikojnë atë.

Demokratët paraqitën pesë mocione për të shtyrë votimin, por të gjitha dështuan për shkak të ndarjes partiake. Njëri prej tyre, i propozuar nga demokrati kryesor i komitetit, senatori Gary Peters nga Miçigani, kërkonte që Paul të zotohej se nuk do ta anashkalonte votimin e plotë të Senatit duke e referuar çështjen drejtpërdrejt në Departamentin e Drejtësisë.

Fauci, i cili drejtoi Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive për 38 vjet, u bë fytyra e reagimit të SHBA-së ndaj pandemisë dhe një objektiv kryesor i zemërimit lidhur me masat e marra kundër një virusi që vrau më shumë se 1.1 milionë amerikanë.

Presidenti Donald Trump dhe shumë konservatorë e kritikuan atë për masat e izolimit, udhëzimet mbi mbajtjen e maskave dhe distancimin social, si dhe për promovimin e vaksinave, të cilat u politizuan së tepërmi pavarësisht se ishte vërtetuar se ishin të sigurta dhe efektive. Fauci dhe zyrtarët e shëndetit publik në mbarë botën i mbështetën këto masa bazuar në provat shkencore të disponueshme në atë kohë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos